Milevski shumë optimistë, Maqedonia pyetet për vendin e parë në grup
Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Bllagoja Milevski....
Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Bllagoja Milevski, ka shpallur listën e futbollistëve tek të cilët do të llogarisë për dy ndeshjet e ardhshme kundër Letonisë dhe Armenisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në listën e 25 futbollistëve, futbollisti mbrojtës i Zhilinës sllovake, Andrej Stojçevski, është ftuar për herë të parë.
“Sa i përket listës, fatkeqësisht sërish kemi disa lëndime të futbollistëve që ishin të paplanifikuara. Trapanovski nuk do të luajë për shkak të lëndimit në stërvitje. Ai do të duhet të pushojë për katër deri në gjashtë javë. Shpresoj që Trajkovski të jetë i gatshëm dhe i disponueshëm për ne. Fatkeqësisht, Darko Velkovski nuk ka klub dhe më vjen keq që nuk është në formën e dëshiruar.” - u shpreh fillimisht seleksionuesi Bllagoja Milevski para gazetarëve të pranishëm në Konferencën për shtyp.
Ai zbuloi edhe arsyen e ftesës për mbrojtësin e Zhilinës, Stojçevski.
“Kemi probleme me mbrojtjen, sidomos me kartonët e verdhë dhe për këtë është thirrur Stojçevski të jetë pjesë e rotacionit. Shpresoj që të tjerët të jenë të shëndetshëm para së gjithash dhe më pas të jenë në gjendje të vendosin veten në funksion të ekipit. Për momentin gjëja më e rëndësishme për mua është shëndeti i futbollistëve. Nuk mund të flasim për formë konkurruese, kemi tre vjet që po ndërtojmë ekipin dhe nuk jemi në gjendje të ndryshojmë çdo takim. Ata futbollistë që thirren janë më të mirët për momentin, pavarësisht formës. Ata janë gjithmonë këtu për Maqedoninë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme” – deklaroi Milevski, i cili shprehet shumë optimist, duke potencuar se është pikërisht Maqedonia që pyetet për vendin e parë në grup.
“Na presin edhe katër ndeshje të tjera, secila prej tyre është po aq e rëndësishme. Tani po luajmë jashtë me Letoninë dhe Armeninë. Më gëzon fakti dhe shpresoj të mbetet kështu që gjithçka varet nga ne. Do të jemi të kënaqur nëse edhe pas këtyre ndeshjeve jemi në vendin e parë, ku jemi tani” – përfundoi Milevski.
Pas dy xhirove të para, Maqedonia është kryesuese në grup me katër pikë, para Armenisë dhe Letonisë, të cilat kanë nga tre.