Botë

Sarrazin: Gjermania, ndër partnerët kryesorë të Kosovës

02.10.2024 14:41

Gjermania ekonomikisht dhe politikisht është ndër partnerët kryesorë të Kosovës, ka deklaruar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor...

Gjermania ekonomikisht dhe politikisht është ndër partnerët kryesorë të Kosovës, ka deklaruar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, duke shtuar se shteti gjerman beson në të ardhmen dhe potencialin që ka Kosova. Këtë, Sarrazin e deklaroi në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane, ku theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë bashkë në tregun e BE-së.
                                       
“Ajo që dua të them është se nëse shoh i mundësitë për rritje ekonomike, jam i bindur se Kosova është me potencial për inovacion dhe zhvillim. Gjermania ekonomikisht dhe politikisht është ndër partnerët kryesorë në Kosovë, sepse besojmë në të ardhmen tuaj. Gjermania është organizuar edhe në rajon në gjashtë shtetet e Ballkanit. Të gjitha ekonomitë në Ballkan nuk janë një treg i mjaftueshëm që të vijë një kompani. Shumë investitorë shkojnë në Serbi, pra ne duam që kjo të ndryshojë dhe investitorët duam që të vijnë në Kosovë dhe të krijohet një treg i përbashkët rajonal.”, - deklaroi i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.
 
Bislimi takim me të dërguarin gjerman, Sarrazin
 
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Sarrazin ka realizuar një takim me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. I pyetur nëse është diskutuar rreth kërkesës së Gjermanisë për CEFTA-n, Bislimi pas takimit tha se nuk ka pasur asgjë konkrete.
 
“Nuk kemi pasur këtu rezultate, vetëm kemi diskutuar.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
 
GYLTENE SINANI