Forumi ekonomik i grave lidere, gratë paguhen më pak se burrat

02.10.2024 14:50

Se stereotipat janë ende të pranishme në shoqërinë tonë....

Se stereotipat janë ende të pranishme në shoqërinë tonë dëshmon fakti se gratë janë më pak të paguara se burrat. Në forumin ekonomik të grave lidere u potencua se do të parashtrohet iniciativë deri te legjislativi për t’u zbatuar masa sistematike, në mënyrë që të ketë sa më shum gra në poste udhëheqëse.

“Statistikat bëjnë të ditur se në pozita të njëjta gratë paguhen më pak dhe ne pikërisht për këtë angazhohemi, që të tregojmë se të ardhurat janë pasqyrim i cilësisë dhe i përgatitjes profesionale dhe nuk kanë të bëjnë me përkatësinë gjinore.”, - deklaroi kryesuesja e Forumit Ekonomik të Grave, Makedonka Dimitrova.

“Te ne në RMV stereotipat, tradita, kultura dhe feja janë sfida që do të duhet të tejkalohen sa më shpejt.”, - theksoi kryetarja e ELIT, Lenka Ugrinovska.

Duhet të eliminohen edhe barrierat për pjesëmarrjen ekonomike dhe udhëheqjen e grave. Ndikimi i grave duhet të rritet në  sferën e biznesit, politikës, administratës dhe shoqërisë civile.

Në kohën e kërcënimeve bërthamore dhe trazirave gjeopolitike është e nevojshme që gratë të marrin rolin e reformatoreve, sepse ato janë të afta të ngrihen mbi interesat dhe përfitimet personale, tha presidentja, Siljanovska Davkova.

“Jemi të obliguara të vijojmë me angazhimet për të siguruar barazi për të drejtat e grave, jo vetëm “de jure”, por edhe “de fakto”, sepse të drejtat e grave janë edhe të drejtat e njeriut dhe niveli i demokracisë matet përmes realizimit të këtyre të drejtave.”, - theksoi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.

Në kuadër të këtij forumi marrin pjesë 270 gra sipërmarrëse, aktiviste, studiuese, akademike, nga vendi ynë dhe bota. (Flutura Latifi, TVM2)