Tripunovski: Paguam 600 milionë denarë borxhe për subvencione
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski...
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në raportin për punën 100 ditësh në krye të kësaj ministrie, thotë se ka trashëguar një ministri krejtësisht të rrënuar, me borxhe, paga të papaguara, subvencione të pashlyera dhe shumë projekte të bllokuara, madje me dyshime serioze për krim nga ish-udhëheqësit e kësaj ministrie.
Ai përmendi se një nga vendimet e para ishte pagesa e subvencioneve të mbetura.
“Morëm vendim për pagesë të subvencioneve në vlerë prej 600 milionë denarë subvencione të mbetura nga e kaluara, ndërsa gjatë vitit që vjen do të shlyhen edhe subvencionet e mbetura dhe do të vazhdojmë me servisimin e rregullt të mbështetjes së subvencioneve rrjedhëse.”, - deklaroi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski shprehet i vetëdijshëm se një 100 ditë janë pak për t’i zgjidhur të gjitha problemet e fermerëve. Mirëpo, premton se së bashku me Qeverinë do të dëshmojnë se do të jenë partnerë i fermerëve dhe bashkërisht do të krijojnë politikat e ardhshme bujqësore.
Tripunovski tha se gjatë këtyre 100 ditëve, ministria e Bujqësisë së bashku me Qeverinë ka arritur të zgjedhë problemin me pagat e pashlyera të të punësuarve në NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe ShA “ Ekonomizimin e ujërave”. (Rexhep Qamili, TVM2)