Maqedoni

100 ditë qeverisje, “Fronti Evropian” me kritika drejtuar Qeverisë

02.10.2024 15:25

100 ditë skandale, dështime dhe nënçmime, e cilësoi “Fronti Evropian” startin qeverisës VMRO-DPMNE - VLEN....

100 ditë skandale, dështime dhe nënçmime, e cilësoi “Fronti Evropian” startin qeverisës VMRO-DPMNE - VLEN. Kritika të shumta i drejtuan VLEN-it për ngrirjen e balancuesit, rrezikimin e përdorimit të gjuhës shqipe, heqjen e drejtorëve organizativ nga klinikat, si dhe largimin e vendit nga Bashkimi Evropian. Ndërprerja e korridorit 8 u quajt fashizëm. Theksuan  se nuk duan të bëhen pjesë e Qeverisë, ndërkaq adresuan ftesë koalicionit VLEN të braktisin ekzekutivin dhe t'i bashkëngjiten Frontit, për t'ia vënë linjat e kuqe Mickoskit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se do të veprojnë nën instruksione të popullit, ndërkaq u shprehën të hapur edhe për veting.
 
"Vendit i duhet paqe, stabilitet, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike, luftë kundër krimit, korrupsionit. Vendit i duhet veting, urdhëroni të bëjmë veting VMRO, VLEN, krejt sa jeni. Ejani LSDM, të bëjmë veting, ejani të hapim hetim për privatizimin për 30 vitet e fundit. Shqiptarët e përjashtuar, të diskriminuar në mënyrën nazi-fashiste nga çdo pjesëmarrje në privatizim të shtetit. Hajdeni, ta hapim!", - deklaroikryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, kritikoi VLEN-in për paaftësi, sa i takon ligjit për të ashtuquajturit “Branitella”.
 
"E sot i shihni tek burrërohen dhe trimërohen dhe thonë që kurrë nuk do të kalojë ligji i “Branitellave”, sepse e dinë që ka një Ilire Dauti, e vendosur dhe nuk e kalon këtë ligj. Fshihen pas vendosmërisë dhe burrnisë së Ilires, e vendosur dhe të “Frontit Evropian” të vendosur për shumë gjëra dhe për shumë tema për t’i thënë që nuk kalojnë.", - theksoi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
 
Nuk u anashkaluan as acarimi i marrëdhënieve me fqinjët. Skender Rexhepi, kryetar i partisë “Populli” tha se agjenda antishqiptare e VMRO-së u nuhat që në fushatë, ndërkaq për kryetarin e Partisë Demokratike Evropiane, Arianit Hoxha, më shqetësuese është menaxhimi i ministrisë së sistemit politik dhe marrëdhënie midis bashkësive nga një serb.
 
"Ndarja e Shqipërisë dhe rrugëtimi drejt BE-së nuk ishte rastësi. Këtë e ka ditur edhe kryeministri më herët, prandaj është e gjithë ajo lojë me Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese bëri shkelje të rëndë të Kushtetutës edhe atë nën diktatin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.", - u shpreh kryetari i partisë “Populli”, Skender Rexhepi. 
 
"Më e keqja nga të gjitha, lejuan që ministrinë e vetme që duhet të kujdesej për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e lanë në dorë të një serbi me ideologji putiniste, me deklarime të hapura antishqiptare dhe anti NATO.", - theksoi kryetari i Partisë Demokratike Evropiane, Arianit Hoxha. 
 
“Fronti Evropian” paralajmëron se do të vëzhgojë me përpikëri punën e Qeverisë, duke i kritikuar ashpër në konferenca ditore për media. Pakënaqësi për qeverisjen e Qeverisë Mickoski shfaqën edhe nga partia turke dhe boshnjake, pjesë e “Frontit Evropian”.
 
MERAL ISMAILI