Botë

Lindja e Mesme, konflikti përhapet në tre shtete

02.10.2024 15:55

Pas sulmeve raketore të Iranit drejt territorit izraelit, lufta në Lindjen e Mesme përhapet në tre shtetet...

Pas sulmeve raketore të Iranit drejt territorit izraelit, lufta në Lindjen e Mesme përhapet në tre shtetet. Ushtria izraelite po përgatit një  “hakmarrje të madhe” si kundërpërgjigje ndaj sulmit raketor të Iranit. Izraeli pritet të shenjestrojë infrastrukturën e lidhur me naftën. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Irani do ta paguajë shtrenjtë sulmin.
 
"Irani bëri një gabim të madh sonte dhe do të paguajë për të edhe atë shumë shtrenjtë. Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t'u hakmarrë kundër armiqve tanë.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Izraeli prej ditësh po kryen sulme ajrore edhe në Liban. Qeveria izraelite ka paralajmëruar gjithashtu banorët e 27 fshatrave që të evakuohen dhe të largohen nga shtëpitë e tyre. Në zonën Ain al-Dalb, në lindje të Sidonit, më shumë se 40 njerëz u vranë dhe 70 të tjerë u plagosën.
 
“Ja ku vdiq nusja ime dhe të dy djemtë e saj u goditën. Ne ishim ulur këtu, djali im këtu, nusja ime këtu, burri im atje dhe unë këtu kur na ra dhoma mbi ne. Jemi të hutuar, nuk ka mbetur asgjë, asgjë fare. Djali i tij është 50 vjeç, nipi 24-25 vjeç. Ne të gjithë jemi familje të varfra, që jetojmë këtu dhe nuk kemi asgjë.”, - tha  Savsan Al Halava nga Libani.
 
"Ne jemi në një zonë rezidenciale, tregtare dhe klinike dhe midis spitaleve “Jabal Amel” dhe “Hiram”, dhe ishte kjo zonë që u vu në shënjestër. Ky armik nuk dëshiron gjë tjetër, veçse të vrasë dhe shfarosja për të arritur në fazën e zhvendosjes së të gjithë atyre që kanë mbetur dhe thyerjes së vullnetit të qëndrueshmërisë, rezistencës dhe durimit.”, - deklaroi deputeti i Hezbollahut në Parlamentin libanez, Hasan Ezedine.
 
Bombardimet izraelite nuk kanë munguar as në Rripin e Gazës. Të paktën 40 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm izraelit në qytetin Kan Junis. 
 
“Pas darkës bombarduan shtëpinë, duke vrarë 11 persona, asnjë prej tyre nuk ishte nën 18 vjeç, të gjithë ishin fëmijë dhe gra. Ata penguan të vinin ambulancat. Netanjahu vret fëmijët dhe gratë.", - tha një banor i Gazës.
 
"Vetëm këta dy persona nga e gjithë familja mbetën. Ne ishim ulur në shtëpi. Ata bombarduan shtëpinë. Burri dhe fëmija mbijetuan dhe dy vajza nga pjesa tjetër e familjes mbijetuan.", - tha një banor tjetër i Gazës.
 
ShBA-ja, BE-ja dhe Gjermania u bëjnë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të përfshira që të tregojnë përmbajtje. Shefi i OKB-së dënoi “zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme me përshkallëzim pas përshkallëzimi” dhe i bëri thirrje Izraelit  për armëpushim, por Izraeli refuzon t’u përgjigjet kërkesave të ndërkombëtarëve. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e shpalli sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres “person non grata” dhe e ka të ndalur hyrjen në Izrael. Gjithashtu edhe UNRËA-në, e ka shpallur organizatë terroriste.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU