Maqedoni

VLEN-i me akuza ndaj “Frontit Evropian”, Imeri: Prokuroria po heton krimet milionëshe

02.10.2024 16:16

“Fronti Evropian” përmes propagandës dhe shpifjeve mundohet të fsheh tmerrin nga përballja me drejtësinë...

“Fronti Evropian” përmes propagandës dhe shpifjeve mundohet të fsheh tmerrin nga përballja me drejtësinë, për bizneset e paligjshme. Kështu i kanë komentuar nga VLEN-i akuzat e BDI-së për 100 ditshin e punës së Qeverisë. Nga VLEN-i nuk kanë munguar edhe akuzat për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Sot, klika kriminale e BDI-së dhe satelitët e saj, Zijadin Sela dhe Menduh Thaçi, do të bëjnë shfaqje për të fshehur tmerrin e tyre nga përballja me drejtësinë. Nuk do të lejojmë që ta nënçmojnë popullin shqiptar! Ahmeti nga komandant Abaz Gjuka është kthyer ortak me mbretërit e striptizeve dhe bixhozit. Nipi i Ahmetit, Drini, u bë i njohur për opinionin në qershor të vitit 2023 pas aferës “Soravia”, kur si një 24-vjeçar bleu qendrën tregtare prej 13.000 m² në qendër të Shkupit për një shumë marramendëse prej 20 milionë eurosh.”, - deklaroi Saranda Imeri nga VLEN.
 
Sipas deputetes së koalicionit VLEN, Saranda Imeri, Prokuroria Publike po heton një seri furnizimesh afariste që ka fituar nipi i kreut të BDI-së, Drin Ahmeti.
 
“Presim që sot, Abaz Gjuka të zbulojë nëse paratë nga bizneset e pista dhe tenderët kriminalë po pastrohen përmes nipërve të tij. Prokuroria Publike po heton një seri furnizimesh afaristesh që ka fituar Drin Ahmeti në ESM, ELEM, NP Komunale Kërçovë, si dhe dokumentacione nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, nga Fondi për Inovacione, MPB, Kapiteneria e Porteve, Ministria e Ekonomisë dhe Depozitari Qendror i Letrave me Vlerë.”, - theksoi Saranda Imeri nga VLEN.
 
Nga VLEN-i thonë se nuk do të ndalen së publikuari krimet e Qeverisë së kaluar. Shtojnë se janë duke mbledhur dëshmi për shkelje dhe flagrancë dhe se të njëjtat do t’i dorëzojnë në Prokurori.