Zjarri kaplon një ndërtesë në Çair të Shkupit, 42 persona kërkuan ndihmë mjekësore
Një zjarr i madh mëngjesin e sotëm ka kapluar një objekt banimi....

Një zjarr i madh mëngjesin e sotëm ka kapluar një objekt banimi në Serovë të komunës së Çairit. Zjarri ka shpërthyer nga bodrumi. Ekipet e zjarrfikësve dolën menjëherë në terren për të shuar zjarrin. Mbi 100 persona janë evakuuar, kurse disa persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të tymit të thithur.
Plastika e gjendur në magazinën e bodrumit ka marrë flakë në orën 02:00 të natës. Dëshmitarët thonë se banorët nga katet e poshtme kanë vrapuar për të dalë jashtë, ndërsa ata nga katet e larta kanë pritur në çati që zjarrfikësit t'i evakuojnë.
“Në orën 02:00 të natës më thirri nipi im, tha vjen një erë e keqe. U futa në banjë, thashë mos ka ndonjë problem me rrymën. Kur dolëm pamë tym që dilte nga poshtë në bodrum. Dolëm të gjithë jashtë. Vetë dolëm, vetë. Më vonë erdhën policia dhe zjarrfikësit dhe i zbritën nga lart njerëzit. Unë jam në katin e tretë. Të gjithë dolëm vetëm disa mbetën lart. Disa i dërguan në spital se kanë thithur shumë tym. Falë Zotit të gjithë janë gjallë. Normal janë lënduar dhe kanë shkuar në spital, por mirë janë.”, - tha një dëshmitar.
“Mes sa dëgjova ka ndodhur në ora 02:00 të natës kjo tragjedi, kjo mërzi për të gjithë ne qytetarët. Unë banoj këtu afër.”, - tha një dëshmitar tjetër.
Nga Ndihma e shpejtë thonë se me të marrë informacionet, menjëherë kanë arritur për t’u dalë në ndihmë banorëve.
“Nga ora 07:00 prej kur edhe jemi këtu ne si ekip, ndihmë mjekësore kanë kërkuar diku rreth 30 persona, nuk e di numrin e saktë, por rreth 30 persona diku. Ankesat më të shumta kanë qenë për marramendje, kokëdhimbje, kollitje, dhimbje barku. Këto kanë qenë simptomat më të shpeshta me të cilat janë paraqitur. Me anë të ekipit të ndihmës së shpejtë janë dërguar në spital 3 fëmijë, të cilët kanë pasur problem me frymëmarrjen, dhe një grua shtatzënë. Fëmijët kanë përfunduar në “Kozle”, kurse të rriturit në Toksikologji.”, - deklaroi Abdulhadi Zendeli nga Ndihma e shpejtë.
Rreth 30 banorë të rritur dhe 12 fëmijë nga objekti i djegur në Çair kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit nga tymi, konfirmojnë nga Klinika e Toksikologjisë dhe Klinika e Fëmijëve.
“4 persona të rritur që kishin pasqyrë më të rëndë klinike janë në kujdes dhe trajtim intensiv të vazhdueshëm. Kurse të tjerët, 23 pacientë trajtohen në spitalin ditor, marrin terapi, dikush nga to pas përmirësimit të gjendjes është lëshuar në shtëpi. Do të vijnë për kontrolle ditëve në vazhdim. Pacientët ankoheshin për vështirësi në frymëmarrje, kollitje, djegie të syve, dikush për marramendje apo dhimbje koke, të cilat janë simptoma të pritura nga personat që qëndrojnë gjatë në tym.”, - theksoi drejtori i Spitalit të Toksikologjisë, Andon Cibishev.
“Ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 12 fëmijë, duke filluar nga fëmija më i ri që ishte vetëm 5 muaj, kurse më i madhi 11 vjeç. Për fat të mirë të gjithë ishin në gjendje stabile. Konstatuam se gjendja e tyre është stabile dhe pas disa orëve trajtim nga mjekët, prindërit insistuan që t’i marrin fëmijët në shtëpi. 10 fëmijë me kërkesë të prindërve u lejuan të shkojnë në shtëpi, kurse 2 fëmijë janë mbajtur për vazhdim të trajtimit mjekësor.”, - deklaroi drejtori i Klinikës për Fëmijë “Kozle”, Rexhep Memedi.
Zjarri, që ka rënë diku rreth orës 02:00, është nën kontroll, njoftojnë zjarrfikësit. Ata thonë se kanë intervenuar në kohë, por kur kanë mbërritur ka pasur tym të dendur dhe kanë pasur vështirësi në evakuimin e banorëve, të cilët janë kapluar nga zjarri teksa ishin duke fjetur.
Për shkak të ngarkimit urban dhe gjendjes së ngushtë të ndërtesës përreth, është dashur që edhe ekipi i merimangave të intervenojë për largimin e veturave përreth.
“Intervenimi ishte i vështirë dhe vazhdon të jetë i vështirë, sepse ka të bëjë me një objekt që është në një pozitë të ngushtë rrugore. Zjarri ishte përhapur në të gjithë objektin, duke i shfrytëzuar hapësirat e hapura për ashensorë dhe ventilimin. Kemi zjarr edhe në pjesën e shkallëve, edhe pse objekti ka rrugica në raste zjarri nga njëri objekt në tjetrin, sepse kemi të bëjmë me objekt që ka 3 ndërtesa njëra pranë tjetrës. Për shkak të zjarrit të dendur kemi vështirësi me evakuimin. Kishte shumë fëmijë të vegjël, persona në moshë, njerëz me invaliditet. Kolegët u angazhuan maksimalisht dhe ia dolëm t’i evakuojmë të gjithë dhe të jenë të sigurt.”, - theksoi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Zvonko Tomevski.
“Në orën 06:30 minuta nga çatia e ndërtesës kishin zbritur shumica e banorëve të ndërtesës dhe asnjëri nga ta nuk kishte lëndime. Janë marrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.”, - deklaroi shefi për Marrëdhënie me Publikun në MPB, Goce Andreevski.
Nga zjarri janë djegur 1.000 metra katrorë hapësirë, që përdorej për deponimin e furnizimeve të një dyqani të njohur të Shkupit. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Nga MPB-ja thonë se po punohet në zbardhjen e rastit. (Fitore Demolli, TVM2)
