Maqedoni

Shëndeti mendor tek të rinjtë, shkollat të përgatiten më profesionalisht për kujdes

03.10.2024 13:40

Kujdesi i shëndetit mendor i të rinjve është çështja e cila e tangon gjithsecilin dhe kjo është e mundur vetëm përmes përforcimit...

Kujdesi i shëndetit mendor i të rinjve është çështja e cila e tangon gjithsecilin dhe kjo është e mundur vetëm përmes përforcimit të trekëndëshit prind, mësimdhënës dhe shërbime profesionale nëpër shkolla. Ky është konstatimi i përgjithshëm i autoriteteve arsimore i  thënë në tryezën e përbashkët kushtuar temës “Shëndeti mendor tek të rinjtë”. Shoqata e qytetarëve “Të rinjtë munden” vlerësojnë se tani është koha që shkollat të përgatitën më profesionalisht në këtë drejtim. 
 
“Bëhet fjalë për një tryezë për krijimin dhe zgjidhjen sistemore të përforcimit të shëndetit mendor dhe mirëqenien e të rinjve, me fokus të veçantë në rrethin shkollor, respektivisht transformimin e rrethit shkollor, që kujdeset dhe nxit mirëqenien dhe zhvillimin më të mirë të të rinjve. Vlerësojmë se tani është koha e duhur që të ndërmerren masa konkrete në drejtim të mundësimit të shërbimeve, resurseve dhe mjeteve që të rinjtë të munden të fillojnë të kujdesen për shëndetin e tyre mendor.”, - deklaroi Filip Ifkovski nga OJQ “Të rinjtë munden”.
 
Problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë janë në rritje, jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën. Por, pyetja e madhe është pse të rinjtë kanë shëndet të dobët mendor? Një ndër faktorët kryesorë janë padyshim vështirësitë aktuale shoqërore, sikurse edhe kostoja e krizës së jetesës. Autoritetet e vendit tonë thonë se prej fillimit të vitit shkollor në vend janë raportuar 6 raste për dhunë nga bashkëmoshatarët. Të gjithë pajtohen se këto çështje duhen zgjidhur sistematikisht, ku të gjitha palët e involvuara do të veprojnë në mënyrë të koordinuar.
 
“Shteti ka sistem të kujdeset për shëndetin mendor e të rinjve  përmes shkollave edhe ministria ka shërbim pedagogjik, i cili është kyçur në kujdesin mendor e të rinjve. Këtë vit shkollor kemi pasur 6 denoncime për dhunë mes bashkëmoshatarëve dhe ne po veprojmë ndaj tyre. Megjithatë është me rëndësi të theksohet se është i nevojshëm bashkëpunim më i mirë ndërsektorial nga më shumë ministri dhe bashkërisht të gjejmë zgjidhje.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. 
 
“Është e nevojshme që të bëhet bashkëpunim ndërsektorial mes ministrive, MPB-së, MPPS-së dhe Ministrisë  së  Arsimit. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe një prej këtyre rasteve është alarmuar edhe në ministrinë tonë ku intervenuam me pjesëmarrje të një punonjësi social.”, - u shpreh zëvendësministri i MPPS-së, Gjoko Vellkovski.
 
Në vendin tonë ende nuk ka statistikë të saktë se sa është numri i të rinjve, që janë viktima të dhunës së bashkëmoshatarëve, theksuan Vellkovski dhe Janevska. U zotuan se gjatë këtij viti shkollor do të angazhohen më shumë shërbimet profesionale nëpër shkolla që të ndihmojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve.
 
REXHEP QAMILI