Maqedoni
Taravari dhe Mickoski i përgjigjen Ahmetit: Po adaptoheni si opozitar
03.10.2024 14:25
Koalicioni VLEN me përgjigje ndaj Ali Ahmetit për ta braktisur ekzekutivin dhe t’i bashkëngjitet Frontit...

Koalicioni VLEN me përgjigje ndaj Ali Ahmetit për ta braktisur ekzekutivin dhe t’i bashkëngjitet Frontit, me qëllim që t’ia vënë linjat e kuqe Mickoskit. Taravari, kryetar i ASh-së, thotë se retorika e Ahmetit flet për përshtatje si opozitë dhe asgjë më tepër. Këshillon se atyre u duhet edhe pak kohë për adaptim për pozitën ku mbetën pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Zotëri Ahmeti mendoj se ngadalë po mësohet në opozitë. Shpresoj se do të adaptohet edhe më shumë, kështu që mendoj se duhet adaptim, asgjë tjetër.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Të njëjtin mendim për Ahmetin e ndan edhe partneri qeveritar i Taravarit, Mickoski. Kreu i ekzekutivit shpreh dëshirën që BDI-ja ta shfrytëzojë kohën duke menduar se si të reformohet dhe në të ardhmen të del me platformë tjetër, dhe jo siç tha ai, me qëllimin për ta grabitur shtetin.
“Më vjen keq që udhëheqësia e BDI-së dhe Ali Ahmeti e krahasuan partinë e tij dhe anëtarët me goma për shpëtim. Kam pritur kreativitet më të madh. Por, kjo është. U dëshiroj ditë opozitare ku do të reformohen, ta gjejnë identitetin e tyre programor, të reformohen kadrovikisht me kuadro të freskëta dhe ndoshta në ndonjë palë zgjedhje tjera do të paraqiten me qasje ndryshe nga ajo që e kemi parë më shumë se njëzet vjet, qasje ku qëllimi kryesor ka qenë që sa më shumë të vidhet.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Duke komentuar paralajmërimet për protesta nga ana e BDI-së, Mickoski tha se protestat janë mjet demokratik dhe se është zgjedhje e tyre, por se do të ndërhyjë Qeveria, në qoftë se protestat eskalojnë nga rruga e paqes. Ndërkohë kërkesën e Ahmetit për veting, Mickoski e cilësoi si satirë dhe se ky humor i tyre do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
