Botë

Eskalon situata në Lindjen e Mesme, sulm i ndërsjellë midis Hezbollahut dhe Izraelit

03.10.2024 14:41

Lindja e Mesme përfshihet nga zjarri....

Lindja e Mesme përfshihet nga zjarri. Grupet militante pro-iraniane sulmojnë Izraelin. Izraeli kundërpërgjigjet me sulme precize në qendër të Bejrutit. Ka viktima dhe të plagosur. Kampet në të gjithë Gazën janë gjithashtu në shënjestër. Sulmet ajrore u zgjeruan edhe në Siri. Damasku dhe një depo ushtarake pranë Latakisë janë në shënjestër të  sulmeve. Luftimet në tokën libaneze po intensifikohen gjithashtu. Izraeli raporton ushtarë të vdekur, por Netanjahu nuk heq dorë nga qëllimet e tij. Hezbollahu pretendon se po zhvillon një betejë heroike kundër forcave izraelite.
 
“Ne jemi mes një lufte të ashpër kundër Iranit, që dëshiron të na zhdukë, por kjo nuk do të ndodhë, sepse ne do të qëndrojmë së bashku dhe do të kthejmë pengjet tona në jug dhe njerëzit tanë në veri.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.  
 
“Ky është vetëm fillimi i asaj që i pret forcat pushtuese. Numri i të vdekurve të  armikut tonë është i konsiderueshëm. Rrëfimi u shfaq edhe në media. Ata duhej të flisnin për këtë ngjarje, sepse humbjet janë të qarta.”, - theksoi zëdhënësi i Hezbollahut, Mohamed Afif.  
 
Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Mikati, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm pasi më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur nga konflikti. Përshkallëzimin në Lindjen e Mesme e dënoi edhe kreu i OKB-së, Guterres.
 
“Është koha për të ndalur ciklin e lodhshëm të përshkallëzimit që i ka sjellë njerëzit e Lindjes së Mesme deri në humnerë. Çdo përshkallëzim shërbeu si një justifikim për atë të radhës. Ky cikël vdekjeprurës i dhunës duhet të ndalet.”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Koha e thirrjeve boshe për de-përshkallëzim ka mbaruar, pohon Izraeli. Irani, nga ana tjetër, e justifikon sulmin me raketa si vetëmbrojtje.
 
“Kjo nuk është më çështje fjalësh. Irani është një rrezik shumë real dhe i pranishëm për botën dhe nëse nuk ndalet, vala e ardhshme e raketave nuk do të drejtohet vetëm ndaj Izraelit.”, - deklaroi ambasadori i Izraelit në OKB, Dani  Danon.
  
“Sulmi raketor i Iranit ishte një përgjigje e nevojshme dhe proporcionale ndaj akteve të vazhdueshme të agresionit terrorist të Izraelit gjatë dy muajve të fundit.”, - theksoi ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saed Iravani.  
 
Në pritje të përgjigjes nga Tel Avivi, ShBA-ja ka një qëndrim të qartë - nuk do të mbështesë hakmarrjen kundër vendeve bërthamore. Së bashku me udhëheqësit e G-7, ata njoftuan sanksione të reja ndaj Teheranit.
 
“Ne diskutuam për përpjekjet diplomatike për të siguruar stabilitet në Lindjen e Mesme. G7 dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe po punon së bashku për një përgjigje, duke përfshirë sanksione të reja.”, - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
  
Në të njëjtën kohë gjithnjë e më shumë vende po evakuojnë qytetarët e tyre nga Libani, pasi situata përshkallëzohet në fronte të shumta dhe kërcënon të përshkallëzohet në një luftë në shkallë të gjerë.
 
FLUTURA LATIFI