Maqedoni
Aksident i rëndë në rrugën Manastir – Prilep, humbën jetën tre persona, një me lëndime të rënda
03.10.2024 14:54
Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një është plagosur rëndë si pasojë e aksidentit...

Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një është plagosur rëndë si pasojë e aksidentit që ka ndodhur sot në orën 08:00 të mëngjesit në rrugën regjionale Manastir-Prilep. Rasti ka ndodhur nga një përplasje e drejtpërdrejtë në mes të një automjeti “Toyota” me targa të Prilepit, që ka qenë duke lëvizur në drejtim të Manastirit dhe një kamioni që ka qenë duke lëvizur në drejtim të kundërt, në drejtim të Prilepit.
“Më 03.10.2024. në orët e hershme të mëngjesit më 07:51, në sektorin për punë të brendshme në Manastir është raportuar se në aksin rrugor Prilep - Manastir në afërsi të kryqëzimit Lagovë ka ndodhur një aksident trafiku në mes të automjetit të udhëtarëve “Toyota” me targa të Prilepit i drejtuar nga 42-vjeçari N.V. nga Prilepi dhe pasagjerët A.R dhe F.J., të gjithë nga Prilepi dhe një kamion “Volvo” me targa të Shkupit i drejtuar nga 51-vjeçari G.R. nga Manastiri.”, - thanë nga SPB-Manastir.
Nga shërbimi emergjent mjekësor informuan se e kanë konstatuar vdekjen e tre udhëtarëve, ndërsa për njërin thonë se është me lëndime trupore.
“Tre udhëtarët që kanë qenë në veturë kanë ndërruar jetë, njëri është i lënduar, është dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm në Prilep me lëndime trupore. Nga forca e goditjes, edhe vetura, edhe kamioni janë djegur. Arsye e mundshme e këtij aksidenti është shpejtësia е papërshtatshme në krahasim me kushtet e rrugës.”, - deklaroi shefi i Shërbimit Emergjent Mjekësor në Prilep, Boshe Milosheski.
Ekipet e Zjarrfikësve kanë punuar gjatë ditës për shuarjen e zjarrit, pasi nga përplasja e drejtpërdrejtë automjetet kanë marrë flakë.
“Kur erdhëm në vendngjarje pamë që nuk është vetëm kamioni që digjet, por edhe vetura nga aksidenti që kishte ndodhur, e cila ka edhe viktima. Ne po e sigurojmë hapësirën, ka edhe benzinë edhe naftë e cila ka rrjedhur, ajo është veturë hibride, shpresojmë që nuk do të shpërthejë eksploziv.”, - theksoi zëvendësdrejtori i TPPE – Prilep, Viktor Stojçevski.
Ekipet e policisë dhe Prokurorisë Themelore Publike gjatë tërë ditës kanë kryer kontroll në vendngjarje, ndërsa rruga kryesore Prilep – Manastir ka qenë në ndalesë të plotë, trafiku është zhvilluar përmes rrugëve alternative. Prokurori i Shtetit ka lëshuar një urdhër për obduksionin e trupave të të ndjerëve, si dhe për ekzaminimin e mostrave të gjakut dhe urinës nga shoferi i kamionit. Gjithashtu, është urdhëruar një ekspertizë teknike e trafikut për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
ARMEND MURSELI
