Maqedoni
Shkup, u shua zjarri në objektin e banimit në Çair
03.10.2024 15:05
Pas më shumë se 24 orë përballjeje, është shuar zjarri që kaploi një ndërtesë në lagjen Seravë të Çairit....

Pas më shumë se 24 orë përballjeje, është shuar zjarri që kaploi një ndërtesë në lagjen Seravë të Çairit. Nga QMK-ja njoftojnë se zjarri që kishte kapluar natën e 1 tetorit në ora 01:50, është shuar mëngjesin e sotëm në orën 09:30.
“Nga NJTKZ e Qytetit të Shkupit është marrë informacion se zjarri është ende aktiv dhe 3 automjete zjarrfikës ndodhen në terren dhe rreth orës 09:30 ka qenë i shuar. Për momentin zjarri është shuar plotësisht, por ende do të përcaktohet gjendja e pjesës së djegur të objektit dhe gjendja e banesave në ndërtesë.”, thuhet në njoftimin e QMK-së.
Terreni i papërshtatshëm bëri që përballja me zjarrin të zgjatë për më tepër kohë. Zjarrfikësit janë përballur me labirinte të korridoreve, tym të madh dhe temperatura enorme të larta.
Ekipet zjarrfikëse thonë se në këtë vend do të qëndrojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, për shkak se kanë ende shumë punë. Për momentin, nga ajo që po arrijmë të shohim nga këtu, zjarrfikësit po heqin ujin nga bodrumi i ndërtesës, prej ku edhe ka filluar zjarri, por edhe ky operacion po zhvillohet me shumë vështirësi pasi ka shumë avull.
Përveç ekipeve zjarrfikëse, nën shuarjen e zjarrit ndihmuan edhe shoqatat vullnetare zjarrfikëse.
“Ne jemi këtu për më tepër se 24 orë, prej dje në ora 07:00 të mëngjesit. Zjarri ka kapluar diku rreth ora 02:00 të natës, thirrjen e kemi marrë prej miqve në ora 07:00, për shkak se brigada e zjarrfikësve ka qenë prezente, pastaj kemi ardhur dhe jemi bashkuar me to dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, deri në ora 04:00 të mëngjesit kemi shuar zjarrin me ta.”, - theksoi kryetari i ShVZ “Bajram Miftari”, Artan Demiri.
Ende nuk dihet dëmi i saktë, ekspertët parashikojnë që ai të jetë relativisht i lartë, bazuar në gjatësinë e djegies.
“Sipas asaj që thuhet se zjarri është djegur për më tepër se 10 orë dhe sipas asaj që në bodrum ka pasur shumë material, ka shumë gjasa që zjarri të ketë arritur më shumë se një mijë gradë. Parashikojë që do të ketë relativisht shumë dëme. Duhet urgjentisht të mundësohet të vijë ekipi i ekspertëve, të cilët do ta vlerësojnë situatën. Do të mundemi që lehtë të vijmë deri te një diagnozë, se a është me rrezik dhe a është i nevojshëm sanimi.”, - u shpreh inxhinieri ndërtimor, Mihail Garevski.
Zjarri që ra dje në Çair bëri që mbi 30 persona të kërkojnë ndihmë në Klinikën e Toksikologjisë, për shkak të tymit, kurse gjendja e tyre raportohet të jetë stabile. Shkaqet e zjarrit janë ende të panjohura, kurse nga Ministria e Brendshme thonë se po merren masa për zbardhjen e rastit.
ERSAN PAJAZITI
