Maqedoni

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, me raport për punën në 100 ditët e para të Qeverisë

03.10.2024 15:23

Edhe përskaj situatës së pavolitshme të cilën e kemi trashëguar, gjërat kanë filluar të lëvizin nga aspekti pozitiv...

Edhe përskaj situatës së pavolitshme të cilën e kemi trashëguar, gjërat kanë filluar të lëvizin nga aspekti pozitiv, tha mes tjerash ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, me rastin e 100 ditëve të Qeverisë së re. Ministri Nikollovski po ashtu ka theksuar se deri në fillim të sezonit të ardhshëm veror pritet të vihet në funksion pjesa më e madhe e autostradës Ohër-Kërçovë, me një ndërprerje të vogël në afërsi të fshatit Botun. Nikolloski informoi se kredia për realizimin e këtij projekti është efektive dhe mjetet janë miratuar. 
 
“Kemi rënë dakord që të përshpejtohet dinamika e punës, pres diku nga 7 tetori që mjetet të vihen në dispozicion të realizuesve të punimeve, me çka do të rritet dinamika e ndërtimit të autostradës Ohër - Kërçovë. Në atë drejtim po bëjmë ndryshime në Ligjin për shpronësime në pjesën për procedurat e verifikimit, të cilat janë problem i madh për realizimin e projekteve infrastrukturore. Dua të njoftoj opinionin se Aneksi 6, që u nënshkrua në vitin 2023, për mjetet shtesë për ndërtimin e autostradës Ohër-Kërçovë, më në fund ka hyrë në fuqi. Kontraktorët herën e fundit kur kishin pranuar mjete ka qenë në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe deri në atë kohë Qeveria nuk kishte paguar asgjë. Kjo është një nga arsyet pse ky projekt ka ngecur.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski.
 
Nikollovski po ashtu u ndal edhe në ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D, ku sipas ministrit të Transportit, edhe pse ishin paralajmëruar në mënyrë bombastike nga ana e Qeverisë së mëparshme, punët në terren flasin diçka tjetër.
 
“Në autostradat e korridorit 8 dhe 10D nuk është punuar asgjë, ka shumë probleme me shpronësimin e pronave. Në komunikim me Exim Bank, arritëm të plotësojmë të gjithë dokumentacionin. Kam marrë informacion të enjten e kaluar se kredia është efektive, mjetet janë miratuar dhe punët e para mund t’i shihni gjatë muajit të ardhshëm ku do të fillojmë me dy pjesët e para e ato janë pjesë e autostradës Prilep-Manastir dhe autostradës Gostivar-Bokojçan apo siç njihet pjesa e “Strazhës”.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski. 
 
Nikollovski po ashtu theksoi se dukshëm do të përmirësohen shërbimet në aeroportet e vendit, ku nga vendi ynë do të kenë edhe fluturime të reja, por do të ketë edhe kompani të reja. Po ashtu Nikollovski theksoi se edhe në pjesën e hekurudhave, pritet të bëhen investime të mëdha, kryesisht me mjete nga Bashkimi Evropian në drejtim të realizimit të hekurudhës së korridorit 8 dhe 10.
 
FITIM KRYEZIU