Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, Apasievi ankohet se është diskriminuar nga Xhaferi

03.10.2024 15:42

Në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seancë publike mbi kërkesën e deputetit të “Së Majtës”, Dimitar Apasiev...

Në Gjykatën Kushtetuese u mbajt seancë publike mbi kërkesën e deputetit të “Së Majtës”, Dimitar Apasiev, i cili ankohet se nga ana e Talat Xhaferit në detyrën e kryetarit të Kuvendit është diskriminuar në bazë të përkatësisë politike. Sipas tij, ky diskriminim erdhi pasi Xhaferi ka hedhur poshtë kërkesën e tij, që qytetarët të deklarohen në referendum për propozimin francez, i cili parashikonte zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë në rrugën evropiane, duke i futur bullgarët në Kushtetutë. Në përballjen e tij me Xhaferin, Apasievi tha se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për referendum dhe se për kërkesën e tij ka vendosur vetë Xhaferi, në vend që t’ia dorëzojë atë Komisionit Ligjvënës dhe Juridik dhe kryetarit të trupit punues amë për dhënien e mendimit. Apasievi konsideron se kryetari i Kuvendit, duke refuzuar t’ia përcjellë iniciativën organeve kompetente parlamentare, ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar. 
 
Xhaferi: Apasievi s'respektoi rregulloren e Kuvendit
 
Xhaferi, para gjykatësve kushtetues hodhi poshtë pretendimet se ka diskriminuar Apasievin, për shkak të përkatësisë së tij politike, por që kërkesa që e ka dorëzuar tek ai nuk ka qenë në rregull, ndërsa pas njoftimit të tij për ta përmirësuar, ai nuk e ka respektuar afatin kohor prej 15 ditëve. Pas kësaj, Xhaferi ka vlerësuar se Apasievi ka hequr dorë nga Iniciativa për referendum qytetar. Pamundësinë për t’u shprehur në gjuhën shqipe në gjykata, Xhaferi e quajti diskriminim. Vendimi për kërkesën në fjalë pritet që Gjykata Kushtetuese ta sjellë pas disa muajve.
 
FLORIJE KAMBERI