Maqedoni

Taravari prezantoi punën në 100 ditët e para

04.10.2024 13:13

Zgjerimi i listës pozitive të ilaçeve, kursimi që u bë për shkak të shfuqizimit të drejtorëve ekonomik nëpër spitale...

Zgjerimi i listës pozitive të ilaçeve, kursimi që u bë për shkak të shfuqizimit të drejtorëve ekonomik nëpër spitale, vendimi për punësimin e 600 specializantëve, prej të cilave 300 këtë vit e 300 vitin e ardhshëm, janë disa nga aktivitetet e Ministrisë së Shëndetësisë në 100 ditët e parë të Qeverisë, thotë ministri, Arben Taravari. Sipas tij, nuk kanë munguar as investimet në pajisje dhe infrastrukturën shëndetësore.
 
“Janë siguruar 10 milionë euro për pastrimin e ajrit në disa spitale në bashkëpunim me zyrën rajonale të Kombeve të Bashkuara. Në klinikën universitare digjestive janë instaluar pajisje të reja mjekësore dhe rregullimi i infrastrukturës në vlerë prej një milion euro. Investim i ri në pajisje në vlerë prej 18 milionë denarësh është realizuar në spitalin e Manastirit. Në Klinikën e sëmundjeve të syrit është instaluar mikroskopi më bashkëkohorë kirurgjik. Në Spitalin klinik të Shtipit janë siguruar pajisje laboroskopike dhe endoskopike për procedurat urologjike, por edhe abdomibiale në vlerë prej 12 milionë denarësh. Në spitalin “8 Shtatori” në Shkup po vijojnë aktivitetet për përmirësimin e trajtimit onkologjik dhe hapjen e repartit onkologjik, me qëllim disperzimin e terapisë, që edhe në këtë repart pacientët të pranojnë terapinë dhe të mos bëhen rrëmujë në institutin qendror.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Përveç kësaj është rinovuar kabineti audiometrik në Shkup, ambientet e Institutit të Radiologjisë dhe të Ambulancës së Neurologjisë në spitalin e fëmijëve në “Kozle”, ku tek kjo e fundit njëherit janë siguruar pajisje të reja, ndërsa në spitalin në Tetovë janë vënë në funksion 5 ashensorë dhe është rinovuar çatia e spitalit, tha Taravari. Dikasteri të cilin ai e drejton, Taravari tha se po punon edhe për sigurimin e stacionit të ri të kompresorëve në klinikën kirurgjikale, ku janë parashikuar të sigurohen dy stacione të reja të kompresorëve, po përgatitet specifikacioni teknik për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe. Në mesin e prioriteteve të Taravarit është edhe zgjidhja e statusit të punësimit të përhershëm  të të punësuarve me kontrata në vepër. Deri në fund të këtij viti, pritet t’u jepen vendime pune së paku gjysmës së honoraristëve. 
 
“Ne si Qeveri duhet të harmonizohemi me Ministrinë e Financave edhe pa pasur marrëveshje me këtë dikaster, ku do të shihet se a ka mjete të mjaftueshme. Unë jam i mendimit se së paku gjysma e personave të angazhuar me kontrata apo 1.250 persona t’i punësojmë, t’u japim vendim këtë vit, në bazë të asaj që do të vendosin drejtorët e klinikave se cili meriton të merr vendim. Kështu që më nevojitet koordinim me ministren e Financave dhe unë do të bëj çfarë do që mundem për t’i punësuar të paktën gjysmën e tyre, t’u japim vendime, ku më pas do të mund të pranojmë disa persona të tjerë me kontrata.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. 
 
Taravari njëherit bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë së bashku me fakultetet mjekësore janë në kërkim të një zgjidhjeje ligjore për punësimin e studentëve më të mirë pas përfundimit të studimeve të tyre. Qeveria njëherit ka anuluar një vendim të mëparshëm të Qeverisë, me të cilin pamundësohej kthimi i mjekëve specializantë nga klinikat private në klinikat shtetërore. 
 
REXHEP QAMILI