Maqedoni

Mexhiti inspektoi punimet në kanalin e Haraçinës, Ibrahimi: Haraçina, probleme me kanalizim

04.10.2024 13:57

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka inspektuar punimet në kanalin e Haraçinës....

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka inspektuar punimet në kanalin e Haraçinës. Ky kanal grumbullon ujërat atmosferik jo vetëm në komunën e Haraçinës, por edhe në komunat Gazi Babë, Ilinden dhe Petrovac. Ky projekt duhet të përfundojë deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe është me vlerë prej 64 milionë denarësh.
 
“Sipas asaj që vërejtëm në terren, projekti realizohet sipas planit dinamik dhe deri më tani ka përfunduar 38 për qind e projektit. Besoj që ky intervenim do të kontribuojë shumë në mbrojtjen  e popullatës nga vërshimet dhe në përmirësimin e kushteve të jetës së popullatës, veçanërisht për shkak se kanali kalon nëpër komunën e Haraçinës dhe ka rrezik të lartë nga vërshimet, ku u konstatua se në të përfundonin sasi të mjaftueshme të mbetjeve nga shishet e plastikave dhe ambalazhe të tjera, të cilët ulnin qarkullimin e tij. Përveç kësaj, kanali ishte i mbushur me bimësi, për këtë arsye ne iu drejtuam komunës për rregullimin e kanalit, që do të kthejë rolin e tij, përkatësisht pranimin e ujërave atmosferikë, sigurimin e kushteve për rrjedhje më të mirë të ujërave atmosferikë nëpër vet fshatin dhe mbrojtjen e vendbanimeve nga vërshimet.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i Parë në RMV, Izet Mexhiti.
 
Gjatë qëndrimit në Haraçinë, Mexhiti me kryetarin e komunës kanë biseduar për gjetjen e zgjidhjes për ujërat e zeza, duke shqyrtuar mundësinë që kjo komunë të lidhet me stacionin e qytetit të Shkupit.
 
“Problemet e kanalizimit dhe ujësjellësit nuk ngelin vetëm në Haraçinë, d.m.th. ato barten në komuna të tjera, siç e përmenda, zona industriale më e fuqishme në shtetin tonë të përfundojë në ujërat e zeza të komunës së Gazi Babës dhe Haraçinës. Kjo nuk duhet të lejohet! Bëj thirrje urgjente që Qeveria të ndajë mjete për këto, sepse janë gjëra elementare. Nuk po kërkojmë ne këtu parqe dhe ku e di unë “ringishpill”. Jo bre! Gjërat elementare, për deri sa mungojnë këto, mendoj se është e pahijshme të flasim për gjëra të tjera.”, - theksoi kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.
 
Kryetari i komunës së Haraçinës theksoi se sa i përket kanalizimit, deri tani është e përfunduar vetëm faza e parë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI