Maqedoni

PDSh-ja braktisi “Frontin Evropian”, Mexhiti: Nuk ka bashkim të PDSh-së me VLEN-in

04.10.2024 14:22

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, përjashton mundësinë që koalicionit VLEN t’i bashkëngjitet PDSh-ja...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, përjashton mundësinë që koalicionit VLEN t’i bashkëngjitet PDSh-ja e Menduh Thaçit, pas largimit nga “Fronti Evropian”. Mexhiti, megjithatë thotë se nuk po zhvillon bisedime të tilla me Thaçin dhe se bashkimi i partive brenda “Frontit Evropian” ishte për të mbijetuar në skenën politike.
 
“Unë personalisht nuk jam në bisedime të tilla. Sikurse paralajmërova para disa muajve, ata nuk u bashkuan në baza ideologjike ose për qëllime më të larta, por se si të mbijetojnë në skenën politike. Ashtu që në momentin kur nuk janë në Qeveri, nuk kanë kauzë politike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. 
 
Mickoski, i përmbajtur, ndërsa Qeveria është stabile
 
Megjithatë, Mexhiti lë të hapur mundësinë për kalim të ndonjë deputeti të BDI-së në formacionin e tyre politik. Zëvendëskryeministri i parë paralajmëron më shumë informacione periudhën në vijim. Ndërkaq kryeministri Hristijan Mickoski, i përmbajtur ndaj zhvillimeve në “Frontin Evropian”, por konfirmon se shumica qeveritare është stabile.
 
“Ajo çfarë ndodh në opozitë, unë nuk do të doja të mbath këpucët e tyre dhe t’i komentoj. Supozoj se për atë çfarë ka ndodhur gjatë ditës së kaluar, më shumë përgjigje do të merrni nga vetë aktorët e opozitës. Me rëndësi për mua si kryeministër është se kemi një situatë stabile, kimi të shkëlqyer. Është logjike të mos kemi mendime të njëjta për tema të caktuara, pasi edhe në një familje ka dallime, e lëre më në një institucion kompleks sikurse është koalicioni qeverisës.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Nga PDSh-ja për mediat e vendit e kanë konfirmuar shkëputjen e kreut të tyre nga “Fronti Evropian”, por se Thaçi nuk do të ndërpresë komunikimin me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Me largimin e Thaçit, “Fronti Evropian” mbetet me 17 deputetë.
 
MERAL ISMAILI