Maqedoni

Zjarri i së mërkurës në ndërtesën në Çair, banorët në pritje të vlerësimit të ekspertëve

04.10.2024 15:05

Megjithëse zjarri që shpërtheu në podrumin e një ndërtese banimi në komunën e Çairit...

Megjithëse zjarri që shpërtheu në podrumin e një ndërtese banimi në komunën e Çairit është shuar paraditen e së enjtes, nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se zjarrfikësit janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar nëse zjarri mund të riaktivizohet. 
 
“QKM-ja përkujton se zjarri në magazinë në bodrumin e një objekti në rrugën "Prohor Pczinski" nr. 136 në komunën e Çairit të Shkupit është shuar dje në orën 09:30, por nëntë zjarrfikës me tre makina zjarrfikëse janë ende në shërbim, si masë paraprake. Shkaqet e zjarrit dhe sasia e dëmit material do të përcaktohen më tej.”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Menaxhim me Krizat. 
 
Dëmet në ndërtesën e kapluar nga zjarri janë të mëdha, ndërsa ekspertët duhet të konfirmojnë nivelin e dëmeve të shkaktuara, pasi zjarri ka zgjatur për më tepër se 10 orë dhe nxehtësia mund të ketë arritur nivelin e mbi njëmijë gradëve. Por, derisa banorët presin vlerësimin e ekspertëve nëse mund të kthehen apo jo në banesat e tyre, policia ka arrestuar dy persona të cilët kanë tentuar të vjedhin në këtë ndërtesë.
 
“Dy persona janë arrestuar për shkak të tentimit për vjedhje në rrugën “Serava” në Shkup, në të cilën ishte shkaktuar zjarr.”, thonë nga MPB-ja. 
 
Organet e rendit po punojnë edhe në zbulimin e shkaqeve, që e shkaktuan zjarrin. 
 
FITIM KRYEZIU