Botë
Përmbytjet në Bosnjë dhe Hercegovinë, rritet numri i të vdekurve dhe të zhdukurve
04.10.2024 15:20
Rritet numri i të vdekurve, të lënduarve dhe të zhdukurve nga përmbytjet katastrofike në Bosnjë dhe Hercegovinë...

Rritet numri i të vdekurve, të lënduarve dhe të zhdukurve nga përmbytjet katastrofike në Bosnjë dhe Hercegovinë, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Komunat më kritike, mëngjesi i zbardhi me skena apokaliptike – shtëpi të përmbytura, rrugët e kthyera në lumenj, ura të shembura, hekurudha të dëmtuara dhe rrëshqitjet të dheut të cilat akoma përbëjnë një rrezik të madh.
“Sot në mëngjes kur u zgjova dhe dola në tarracë, kudo ishte përmbytur. Rruga për në Sarajevë dhe ajo për në Kreshevë janë gjithashtu të përmbytura. Është tmerr. Uji hyri në shtëpitë e njerëzve, gjithçka u shkatërrua.”, - tha një banor i zonës.
Shërbimet federale po punojnë për nxjerrjen dhe evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, si dhe për riparimin e dëmeve të mëdha. Është kërkuar ndihmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që munden, të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve njerëzore, por edhe të mos dalin në rrugë, sepse rrugët nuk funksionojnë. Për momentin më e rëndësishmja është që të gjithë të punojmë në mënyrë të koordinuar.”, - deklaroi ministri i Financave i Zhupanisë së Hercegovinës dhe Neretvës, Adil Suta.
Situata më kritike është në komunën e Jabllanicës, rrugët e së cilës janë paralizuar, ndërsa nuk funksionojnë as rrjetet e operatorëve mobil.
“Kemi kërkuar ndihmë nga të gjitha autoritetet më të larta qeveritare, si dhe nga forcat e armatosura. Aktualisht jemi duke punuar për dërgimin e një helikopteri në mision shpëtimi për një fëmijë në Jabllanicë.”, - theksoi kryeministrja e Zhupanisë së Hercegovinës dhe Neretvës, Maria Buhaç.
Për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të dendura të shiut që vërehen edhe në Kroacinë fqinje, janë mbyllur disa rrugë.
FLORIJE KAMBERI
