Botë
Seri sulmesh të fuqishme në Bejrut, Tel Avivi rrit presionin ndaj militantëve
04.10.2024 16:30
Bejruti gjatë natës ishte objektiv i një seri sulmesh ajrore më masive izraelite...

Bejruti gjatë natës ishte objektiv i një seri sulmesh ajrore më masive izraelite, që sipas Tel Avivit kanë për qëllim rritjen e presionit ndaj militantëve. Cak i sulmit ishte pasardhësi i mundshëm i Nasrallah-ut. Bllokohet edhe rruga në kufirin Liban-Siri për të cilën ushtria pretendon se është përdorur për të transportuar armë.
“Ne jemi të vendosur ta shkatërrojmë këtë infrastrukturë. Ne nuk do të lejojmë që Hezbollahu të pozicionohet në këto vende në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë t'u shkaktojmë dëme të rënda atyre në të gjitha zonat në Bejrut, në Luginën e Libanit dhe në Libanin e Jugut.", - deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Herzi Halevi.
Uashingtoni: Mund të shmanget zgjerimi i konfliktit
Në anën tjetër garantohet edhe Haifa, ku mbrojta izraelite deklaron se janë përballur me avionë armiqësor të drejtuara nga lindja. Ndërkohë vazhdojnë operacionet ushtarake në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, ku raportohet të jetë eliminuar lideri i Hamasit në Tulkarem. Uashingtoni është duke e monitoruar situatën.
"Ne vlerësojmë se është e përshtatshme që Izraeli t'i sjellë terroristët para drejtësisë në këtë kohë dhe me këto inkursione të kufizuara të largojë Hezbollahun nga kufiri. Ne jemi duke monitoruar situatën dhe do të shohim se si do të funksionojë, në fund të ditës, qëllimi ynë është një rezolutë diplomatike, ajo që u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kjo do të çonte në siguri në të dy anët e kufirit.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Nga frika se konflikti do të zgjerohet në një luftë gjithëpërfshirëse, Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo mund të shmanget.
“Unë nuk besoj se do të ketë një luftë të gjithanshme. Mendoj se mund ta shmangim këtë, por ka ende shumë për të bërë.”, - u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.
Irani: Nuk duam luftë, nëse sulmohemi, do të hakmerremi
Irani nuk po kërkon luftë, por do të hakmerret me forcë dhe guxim nëse Izraeli vazhdon sulmet, ka deklaruar Ajatollah Kamenei, gjatë lutjeve të së premtes.
“Republika Islamike do të kryejë çdo detyrë që ka në këtë botë me forcë dhe guxim. Ne nuk do të vonojmë apo nxitojmë t'i përgjigjemi Izraelit. Sulmi i Iranit ishte legjitim dhe i ligjshëm.”, - deklaroi lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei.
Kreu i diplomacisë evropiane bëri thirrje të fuqishme për armëpushim, me qëllim që objektet bërthamore të mos jenë objektiv i konflikteve.
LEUNORA KALIQI
