100 ditëshi i Qeverisë, Limani: Vazhdojmë 100 % të përkushtuar
Në 100 ditëshin e llogaridhënies së Qeverisë...

Në 100 ditëshin e llogaridhënies së Qeverisë, Ministri I Politikës sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani tha se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen 100% të përkushtuar në realizimin e projekteve për interesa të qytetarëve.
Për këto 100 ditë mund të mos kemi bërë shumë, por kemi bërë hapa domethënës që ua lehtësojnë jetën qytetarëve tha Limani.
Ai me këtë rast përmendi rritjen e pensioneve, bashkëpunimin me komunat, ku Qeveria ka siguruar 250 milion euro për investime kapitale, gurthemele për 2 kopshte për fëmijë si dhe rindërtimin dhe lëshimin në përdorim të disa të tjerave.
Përveç investimeve në Kopshtet për fëmijë është investuar edhe në qendra për personat me aftësi të kufizuara, si dhe në shtëpi dhe qendra për të moshuarit.
“Siç e shihni, të gjitha pjesët e vendit janë të përfshira, bëhen investime ku komunat kanë shprehur interesim për nevojat e banorëve të tyre. Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të ndalemi këtu, planifikojmë të rrisim numrin e qendrave për punë sociale, për personat me aftësi të kufizuara, për të moshuarit, për rehabilitimin nga varësitë dhe strehimoret e ndryshme.” – tha Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.
Në mënyrë aktive punohet për ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është në fazën përfundimtare dhe paraqet një përmirësim të procesit të dhënies së LICENCAVE për kujdestarët dhe edukatorët, proces ky i bllokuar qëllimisht për rreth një vit e gjysmë.
Me këto ndryshime, procesi i punësimit në kopshte do të hapet për më shumë se 800 kujdestare, edukatore, profesionistë dhe bashkëpunëtorë.
Sipas Limanit, nga Qeveria e kaluar kanë trashëguar mungesë fondesh për pagesat e planifikuara, punonjës të pakënaqur dhe demotivuar nëpër institucione, por mbi të gjitha të zhgënjyer qytetarët me gjendjen e përgjithshme në vend. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
