BDI, RMV në krizë të thellë ekonomike
Bashkimi Demokratik për Integrim kritikon Qeverinë....

Bashkimi Demokratik për Integrim kritikon Qeverinë për dështime të shumta sa i përket zhvillimit ekonomik, rritjes së standartit jetësor të qytetarëve dhe stabilitetit financiar. Deputetja Rina Ajdari, si dështim nënvizoi shkurtimin e projekteve kapitale – si shkurtimin e mjeteve për Korridorin e 8, mosrritjen e pagës minimale, kufizimin e marzhës së produkteve, mos uljen e kontributeve për sektorin privat dhe mos ndarjen e 10 mijë eurove për çdo qytetar.
“Dëshmi më të mirë se ekonomia e vendit shkon drejt fundosjes, janë raportet e entit statistikor të vendit ku pas shume vitesh kemi: rënie të prodhimit industrial me 1.6%, rënie të pagës mesatare në vend me 3% krahasuar gusht-korrik, rënie të eksporti në muajin gusht krahasuar me muajin korrik me 2.5%, rënie të bruto investimeve në vend, rritjen e cmimeve me 4.6%, ku rritja e prodhimeve bazë është edhe dyfish më e madhe për produkte të caktuara, mospagesa e diku 100 milion Eurove, për rikthimin e TVSH-s, Paralajmerimet për rritjen e çmimit të derivateve, gjithë këto të dhëna janë parametra të mjaftushme qe Maqedonia e Veriut është në krizë ekonomike, dhe BPV do të jetë më i ulëti në rajon.” – tha Rina Ajdari nga BDI.
Akuzojnë se Qeveria në vend që të mbajë nën kontroll borxhin publik e rriti po të njejtin për mbi 180 milion euro edhe atë me huamarrje të dyshimta, jotransparente, me kamata të larta, ndërsa mungojnë investimet e huaja.
Ajdari shpalosi edhe disa nga propozimet e BDI-së, që vendi të dalë nga “kriza e thellë ekonomike”, siç janë rritja e pagës minimale në 450 euro, në mënyrë lineare për të gjitha pagat tjera në vend, subvencionimin e kompanive vendore, zvogëlimin e kontributeve për sektorin e biznesit, uljen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe kompanitë mikro dhe të vogla etj. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
