Breshëri plumbash në Çair, 19 vjeçari i plagosur në trajtim mjekësor

06.10.2024 15:48

Të shtunën mbrëma në Çair....

Të shtunën mbrëma në Çair më një breshëri plumbash është sulmuar një 19 vjeçar në rrugën “Cvetan Dimov”. Pas plagëve të marra 19 vjeçari menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike “Naum Ohridski”, është operuar dhe për momentin është në trajtim mjekësor.

MPB: Po punojmë në zbardhjen e plotë të rastit

Nga MPB thonë se po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Nga atje theksojnë se i plagosuri e ka treguar personin që ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

“Më 5 tetor 2024, rreth orës 20:20, në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup është raportuar se në rrugën "Cvetan Dimov" në Shkup ka ndodhur një incident ku është plagosur një person nga arma e zjarrit. Personi i plagosur, A.B. (19) nga Shkupi, është dërguar në Spitalin e Qytetit "Shën Naumi i Ohrit" në Shkup për t’i dhënë ndihmë mjekësore. Gjatë një bisede me oficerët e policisë, A.B. shpjegoi se, derisa po ecte në këmbë në rrugën "Cvetan Dimov", nga një automjet doli B.B. dhe qëlloi disa herë me pistoletë ndaj tij. Po merren masa për sqarimin e plotë të rastit” – tha Zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrevski.

Akuza e kundër-akuza mes partive politike

Për incidentin e mbrëmshëm dhe situatën e sigurisë në përgjithësi kanë reaguar partitë politike. Opozita maqedonase, LSDM vazhdon të akuzoj MPB-në për siç thonë paftësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, Toshkovski dhe menaxhmentit të VMRO-DPMNE-së.

“Me Toshkovskin në krye të MPB-së deri tani ka mbi 20 raste të përdorimit të armëve të zjarrit, rreth 10 vrasje dhe tentim për vrasje. Ndodhi vrasja e biznismenit në “Mavrovkë”, tentim vrasje në Haraçinë, vrasje të doktorit në lagjen e Zhelezarës, gjuajtje dhe vrasje në Hasanbeg, në Çair, Batincë, në Tetovë, në rrugën e plastikave dhe nuk ka zbardhje të këtyre incidenteve e as të vrasjeve”. – tha Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Është kundërpërgjigjur menjëherë VMRO-DPMNE dhe ekzekutivi.

“Gjuajtjet me armë e bandave në Shkup është si pasojë e mardhënieve të LSDM-së me nëntokën e Shkupit dhe grupeve të armatosura të cilat në kohën e LSDM-së kur ishte në pushtet u fuqizuan, ndërkohë bizneset lulëzuan. LSDM duke paguar borxhin për zgjedhjet e vitit 2016 i bëri bandat në Shkup oligark, të njëjtat banda kanë qenë mbështetës kryesor në shtabet e LSDM-së në Shkup”. – thanë nga VMRO-DPMNE.

“Mendoj që nuk ka kredibilitet moral LSDM të bën kështu akuza, pasi në 8 vjet qeverisje ka pas shumë të vrarë, por përgjigjen adekuate do të i’a lëmë MPB-së për ta rrit sigurinë e qytetarëve”. – u shpreh Zv.Kryeministri i parë i vendit, Izet Mexhiti.

E nga BDI kërkojnë menjëherë zbardhjen e plotë të rastit.

“Ne presim hetim nga organet kompetente, të shqyrtojnë rastin dhe deri në fund të zbardhin fajtorët”. – u shpreh Rina Ajdari nga BDI.

Vrasjet në Çair shpesh raportohen si incidente të rënda kriminale që mund të lidhen me konflikte lokale, aktivitete bandash, apo edhe mosmarrëveshje të tjera personale dhe sociale.

Vrasja e fundit në Çair ka ndodhur një muaj më parë në afërsi të qendrës tregtare “Mavrovasja”, nga e cila humbi jetën një person. Në këtë rast dy persona u arrestuan, ndërsa njëri është ende në kërkim. (Armend Murseli, TVM2)