Shqipëri, përmirësohet situata nga përmbytjet në Vlorë

06.10.2024 18:30

Situata në Vlorë duket të jetë përmirësuar këtë të diel...

Situata në Vlorë duket të jetë përmirësuar këtë të diel, pasi qyteti bregdetar u përfshi nga përmbytje, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të premten.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se tashmë të gjitha rrugët janë të kalueshme si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.

Ndërkohë, vijon ende puna për heqjen e ujit dhe inerteve nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.

“Situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut. Të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. Po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve”, njofton Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.