Maqedoni

QMK: Në Gostivar uji nuk është i pijshëm, në Tetovë ka kufizime

07.10.2024 10:47

Pas reshjeve të dendura, uji në Gostivar nuk është i pijshëm....

Pas reshjeve të dendura, uji në Gostivar nuk është i pijshëm. Sipas ndërmarrjes komunale nga Gostivari, si pasojë e reshjeve të  dendura të shiut në ditët e kaluara është shkaktuar kontaminimi i ujit në rrjetin e ujësjellësit të qytetit.

Analizat e fundit fiziko-kimike dhe mikrobiologjike konfirmojnë se uji në rrjetin publik të ujësjellësit aktualisht nuk është i sigurt për t’u pirë. Ata i njoftojnë banorët e Gostivarit që të mos pinë ujë nga çezma, gjegjësisht uji që vjen nga ujësjellësi i qytetit. Edhe NPK “Sharri” nga Tetova njofton se për shkak të ndotjes së ujit në burimet e Leshnicës, sistemi i stacionit të filtrimit për momentin është plotësisht i mbyllur. Qyteti i Tetovës furnizohet me sasi të reduktuar të ujit, ndërsa ekipet e NPK “Sharri” janë në terren për zgjidhjen e shpejtë të problemit.
 
Kufizim të ujit në ujësjellësin e qytetit do të ketë nga ora 13:00-15:00 dhe në periudhën nga ora 01:00-04:00. Qendra për Menaxhim me Kriza gjithashtu njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar dy zjarre në ambiente të hapura.