Botë

Sulmet izraelite godasin Gazën dhe Bejrutin, Hamasi planifikon breshëri raketash

07.10.2024 11:33

Luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme në përvjetorin e parë të sulmeve të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit dhe luftës që pasoi në Gazë...

Luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme në përvjetorin e parë të sulmeve të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit dhe luftës që pasoi në Gazë, me përkujtime të planifikuara në të gjithë Izraelin dhe në mbarë botën.

Izraeli është zotuar të hakmerret kundër Iranit për breshërinë e raketave të javës së kaluar dhe ushtria e tij ka nisur një ofensivë të re kundër Hamasit në Gazën veriore, duke detyruar qindra palestinezë të ikin. Hamasi kishte planifikuar të lëshonte një breshëri më të madhe raketash kundër Izraelit këtë mëngjes, por sipas ushtrisë izraelite u penguan.
 
Ndërkohë ushtria izraelite ka përforcuar ushtarët pranë Rripit të Gazës përpara ngjarjeve ceremoniale që do të shënojnë një vit nga sulmet e Hamasit. Trupa shtesë janë vendosur në komunitetet kufitare si “për skenarët mbrojtës, ashtu edhe ata sulmues”. Izraeli po koordinohet me Shtetet e Bashkuara, ndërsa përgatitet të sulmojë Iranin, por do të marrë vendimet e veta, të pavarura se si të hakmerret, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Gallant. Edhe pse ShBA-ja e ka bërë të qartë se kundërshton një sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane, Gallant tha se Izraeli nuk ka përjashtuar asnjë nga opsionet e tij.
 
Libani ka shtyrë fillimin e vitit shkollor deri më 2 nëntor si masë mbrojtëse mes përshkallëzimit të luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut. Rreth 400.000 studentë dhe 40.000 mësues janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në të gjithë vendin pas luftimeve, tha ministri i Arsimit i Libanit.