Maqedoni
Inspektorati sanitar dhe shëndetësor në terren për rastin e vdekjes së fëmijës 14-muajsh
07.10.2024 14:47
Inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor po kryejnë kontrolle në Spitalin “Kozle” dhe Klinikën e Fëmijëve në Shkup...

Inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor po kryejnë kontrolle në Spitalin “Kozle” dhe Klinikën e Fëmijëve në Shkup, pas vdekjes së vajzës 14-muajshe para dy ditësh. Prindërit e vajzës kanë akuzuar mjekët se kanë kërkuar që fëmija të hospitalizohet, por ajo nuk ishte pranuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se inspektorët shëndetësorë po merren me rastin.
“Ne si Inspektorat Shëndetësor do të sigurojmë dokumentacion mjekësor, deklarata nga të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe kjo do t’i dërgohet ministrit të Shëndetësisë dhe do të iniciohet formim i komisionit për kontroll profesional, i cili më tej do të konfirmojë se çfarë ka ndodhur lidhur me këtë rast.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shëndetësor Sanitar, Kiril Llazov.
Prindërit e vajzës kanë akuzuar mjekët se kanë kërkuar që fëmija të hospitalizohet por ajo nuk ishte pranuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari thot se inspektorët shëndetësorë po merren me rastin.
“Takimi i parë në mëngjes ishte me drejtorin, tashmë ekipi është në terren. Komisioni është formuar dhe është në terren në punë, për të shqyrtuar të gjitha faktet dhe argumentet.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ministri Taravari, një ditë më parë ka konfirmuar se fëmijës që ka ndërruar jetë në Klinikën e Fëmijëve më herët i është refuzuar shtrimi në spital dhe ka theksuar se “dikush duhet të mbajë përgjegjësi, kur ka raste të tilla tragjike në sistemin shëndetësor”. Ndërkohë partia opozitare LSDM kërkon përgjegjësi për vdekjen e vajzës 14-muajshe.
“Informacionet e konfirmuara se foshnjës i është refuzuar shtrimi në spital janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ky është rasti i dytë tragjik brenda një jave në objektet shëndetësore. LSDM-ja kërkon analizë më të thellë dhe transparencë të plotë në procesin e përcaktimit të përgjegjësisë. Opinioni meriton të dijë se ku janë bërë dështimet.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
VLORA LATIFI TOPOJANI
