Maqedoni
VLEN: BDI-ja tradhtoi shqiptarët për interesa të veta
07.10.2024 15:46
Koalicioni VLEN, ka lëshuar akuza në drejtim të BDI-së...

Koalicioni VLEN, ka lëshuar akuza në drejtim të BDI-së, të cilën e pyesin publikisht nëse është e gatshme të përballet me përgjegjësinë për atë që ka punuar vetëm për interesa personale të individëve nga kreu i saj, e jo në interes të shqiptarëve. Nga VLEN-i porositën BDI-në që të angazhohet për pastrimin e oborrit të vet, sepse qytetarët kërkojnë përgjigje për të gjitha krimet e ndodhura në vitet e fundit.
“Ku përfunduan 14 milionë euro borxhe të shlyera ndaj kompanive furnizuese me energji elektrike, pronarë të të cilave ishin fëmijë dhe të afërm nga krahu i BDI-së dhe LSDM-s? Ku përfunduan afër 400 mijë euro të ndara në mënyrë të paligjshme si sponzorime për studio të ndryshme të fitnesit dhe klubet sportive nga MEPSO-ja pa asnjë kriter dhe transparencë? Ku përfunduan paratë e koncesioneve të ndara për dhjetëra e dhjetëra koncesione për centrale fotovoltaike dhe hidrocentrale, që iu ndanë fëmijëve dhe të afërmve të të njëjtëve zyrtarë të Qeverisë së mëparshme? Ku kanë përfunduar paratë e furnizimeve kriminale për mazut në katër sy për nevojat e TEC Negotinë të kryera me kompani të dyshimta në të kaluarën? A do t’u shpjegojë BDI-ja votuesve të saj, por edhe të gjithë votuesve shqiptarë se ku kanë përfunduar paratë e marra nga njerëzit tanë në qindra vendet e bixhozit që u hapën gjatë mandateve të tyre? A do të tregojë BDI-ja se për interesat dhe llogarinë e kujt punonte kompania “EUROVIA”, e cila fitonte të gjithë tenderët në disa ministri të udhëhequra nga kuadro të BDI-së?”, - u shpreh Saranda Imeri nga VLEN-i.
Theksojnë se BDI-ja duhet të pranojë se është opozitë, ndërsa VLEN-i do të punojë në interes publik dhe do të bëjë gjithçka për nevojat e qytetarëve.
FLORIJE KAMBERI
