Botë
Izrael, shënohet njëvjetori i sulmit nga Hamasi
07.10.2024 16:02
Në njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj Izraelit, ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet e ashpra në Gazë, Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit...

Në njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj Izraelit, ushtria izraelite ka vazhduar bombardimet e ashpra në Gazë, Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit. Derisa presidenti i Izraelit, Herzog, po e udhëhiqte ceremoninë e përkujtimit të mbi 1.200 njerëzve të vrarë dhe rreth 250 të rrëmbyerit nga Hamasi, ushtria izraelite tha se u shkrepën katër raketa nga Gaza drejt vendbanimeve të njëjta izraelite që ishin sulmuar vitin e kaluar. Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre. Ndërkohë kryeministri Netanjahu i ka vizituar ushtarët në veri duke theksuar se fitorja është e patjetërsueshme.
“Para një viti përjetuam sulm të tmerrshëm. Në 12 muajt e kaluar e kemi ndryshuar tërësisht realitetin. Tërë bota po befasohet me sulmet që po ua shkaktoni armiqve tanë. Unë ju përshëndes dhe ju them ju jeni gjenerata e fitores.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Njoftohet se forcat izraelite sulmuan kampin e refugjatëve në Gazë, duke lënë tre palestinezë të vdekur, ndërsa raportohet edhe për disa të plagosur. Ushtria izraelite tha se goditi disa pika strategjike në Gazë gjatë natës, duke i përshkruar ato si “strofa” të Hamasit. Nga ana tjetër, edhe Hamasi është kundërpërgjigjur, duke lëshuar disa predha drejt Izraelit, ku u plagosën dy persona. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40 mijë shënjestra në Gazë, ka zbuluar katërmijë e 700 tunele dhe ka shkatërruar njëmijë vende të raketahedhësve. Deri tani në Gazë janë vrarë mbi 42 mijë palestinezë, ndërsa nga sulmet izraelite janë regjistruar edhe rreth dymijë viktima në Liban. Edhe Hezbollahu vazhdon sulmet. Sipas policisë izraelite, mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta.
GYLTENE SINANI
