Mickoski priti kryeministrin serb, Vuçeviq, thellohet bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik
Thellimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë...

Thellimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, veçanërisht në fushën e energjetikës, nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit për integrim ekonomik dhe energjetik, hekurudha e shpejtë në Korridorin 10, integrimi në BE, ishin disa nga pikat kyçe në të cilat u vendos fokusi i vizitës së kryeministrit serb, Vuçeviq në vend.
Kryeministri Mickoski tha se është konfirmuar vizioni i përbashkët, se e ardhmja e rajonit është Bashkimi Evropian.
“Ne e dimë se rruga për të arritur atje nuk është e lehtë, por besojmë se me përpjekje dhe mbështetje të përbashkët mund të përmbushim kriteret dhe të sjellim përfitimet e integrimit evropian për qytetarët e rajonit. Mund të them gjithashtu se kemi biseduar për lidhjen energjetike të të dy vendeve. Por, kjo duhet të jetë prioritet edhe për Evropën Qendrore, për shkak se kjo do të sigurojë 12 BCM të reja, të cilat tani nuk i ka dhe prej këtu do të zvogëlohet varësia nga gazi rus.”, - deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, tha se për vendin e tij është me rëndësi ndërtimi i infrastrukturës për furnizim me gaz. Ai njëherit theksoi se Serbia e dëshiron edhe gazin rus edhe atë të Azerbajxhanit.
“Më vjen mirë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sipas asaj që pashë, dhe mora përshtypjen nga Hristijan Mickoski se me energji të plotë do të përfundojë interkonektori me Greqinë dhe furnizimi i Maqedonisë së Veriut me gaz natyral. Kjo do të jetë e mirë për qytetarët. Ne nuk dallojmë asnjë gaz, ne e duam edhe atë rus, të Azerbajxhanit, të gjitha gazrat, respektivisht çdo burim që e ofron tregu për ne është interes. Nuk është luks të kemi, të mos kemi, të varemi nga gazi i dikujt, vetëm pse dikush tjetër e vlerëson ashtu. Na falni, ne mbajmë llogari për shtëpinë tonë, prandaj gjithçka që është në interes të Serbisë, ne do ta përdorim.”, - theksoi kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Mickoski tha se me Serbinë ndajnë shumë më shumë sesa kufijtë e përbashkët, ndërsa kryeministrin serb e priti pa ministrat shqiptarë në kabinetin e tij.
Deklarata e kryeministrit shkaktoi reagimin e Aleancës për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës. Nga partia e Selës thonë se dy kryeministrat u zotuan për forcim të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e energjetikës dhe integrimin ekonomik, derisa në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë, Qeveria shkurton mjetet për projekte infrastrukturore, siç është rruga Shkup-Bllacë dhe Korridori 8. (Leunora Kaliqi, TVM2)
