Maqedoni
Gostivar, uji në rrjetin e ujësjellësit nuk është i pijshëm
07.10.2024 16:38
Për shkak të kontaminimit të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut uji nga rrjeti i ujësjellësit publik aktualisht nuk është i sigurt për pije....

Për shkak të kontaminimit të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut, analizat e fundit fiziko-kimike dhe mikrobiologjike kanë konfirmuar se uji nga rrjeti i ujësjellësit publik aktualisht nuk është i sigurt për pije.
Për këtë qëllim, Ndërmarrja publike Komunale nga Gostivari u sugjeroi qytetarëve që të shmangin konsumimin e ujit nga çezma. Pas këtij njoftimi, u bënë edhe dy testime të reja mbi cilësinë e ujit për pije në Gostivar.
Ndërmarrja ishte njoftuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa kësaj të fundit njoftimin ua kishte bërë një laborator privat nga Strumica, që ka bashkëpunim me ndërmarrjen komunale të qytetit. Por, rezultatet e këtij laboratori nuk përputhen me ato të Institutit për Shëndet Publik në Gostivar dhe Shkup, të cilët thonë se cilësia e ujit në Gostivar është e mirë pas ndotjes së parë.
Nëse analizat e fundit dalin të mira mbi cilësinë e ujit, kryetari Valbon Limani, thotë se do t’i kërkojë ndërmarrjes komunale ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë private.
“Uji në qytetin e Gostivarit ishte i papijshëm gati gjithë javën e fundit të muajit të kaluar, pasi analizat treguan se ka prani të bakteries Esheria Koli, ndërsa herën e dytë, gjegjësisht të premten pasdite u njoftua se pos kësaj bakterie, uji ka edhe sasi të madhe të manganit. Se kur do të dalin rezultatet e analizave të fundit nuk dihet e deri atëherë, qytetarët rekomandohet të mos e përdorin ujin nga sistemi i furnizimit të ujësjellësit të qytetit.” - theksoi u.d. kryetar i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. (Lulzim Haziri, TVM2)
