Vdekja e foshnjës 14-muajshe, BDI-ja fajëson drejtorin, Memedi

07.10.2024 16:54

Edhe BDI-ja ka reaguar për vdekjen e vogëlushes 14-muajshe...

Edhe BDI-ja ka reaguar për vdekjen e vogëlushes 14-muajshe, duke i bërë përgjegjës drejtorin e Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi dhe stafin e klinikës. Nga kjo parti nuk e kanë kursyer nga akuzat as ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari.

BDI-ja ka akuzuar drejtorin e Klinikës për sëmundje të fëmijëve, Rexhep Memedi, si dhe stafin e klinikës si fajtorë për vdekjen e foshnjës 14-muajshe në klinikë.

Nga BDI-ja konsiderojnë se foshnja ndërroi jetë si pasojë e mostrajtimit të duhur, ndërkohë që në klinikë po zhvillohet krimi.

Nuk kanë kursyer as akuzat edhe ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili është ç’fokusuar nga dikasteri i shëndetësisë duke u marrë me vulat e partisë, Aleancës për Shqiptarët.

“Ai tenton të relativizojë të gjithë këtë situatë, e cila në një vend normal do të ishte rezultuar jo vetëm dorëheqjen e tij dhe të drejtorit të paaftë, Memedi. Ne i bëjmë thirrje: Arben largohu, ik! Çliro shqiptarët dhe të gjithë të tjerët, mos i merr në qafë, ti humbe zgjedhjet dhe je aty si i preferuar i Mickoskit dhe VMRO-së. Historia do të të kujtojë si vazal dhe të paaftë!”, - deklaroi Dijana Toska nga BDI.

Nga BDI-ja akuzojnë drejtorin Memedi për punësime familjare, si dhe keqtrajtime të pacientëve shqiptarë. BDI-ja kërkon përgjegjësi morale nga personat kompetent për fatalitetin e foshnjës, hetim të plotë dhe transparent, deri në konstatimin e përgjegjësisë juridike të fajtorëve. (Meral Ismaili, TVM2)