Përfundon projekti i IPA-s, “Aktivizimi i grupeve vulnerabël në punë”

07.10.2024 18:51

Agjencia për Punësim përfundon projektin...

Agjencia për Punësim përfundon projektin disavjeçarë të IPA-s për “Aktivizimin e grupeve vulnerabël në tregun e punës”, projekt ky i cili ka kontribuar në uljen e papunësisë afatgjatë të këtyre personave.

Sipas drejtorit të Agjencisë për punësim, Selatin Belulli, programet dhe shërbimet e specializuara të këtij projekti kanë dhënë rezultatet e duhura dhe kanë përgatitur një numër të madh të qytetarëve të kësaj kategorie në tregun e punës.

Përveç përfshirjes aktive, këta persona kanë marrë edhe shërbime këshillimi, motivimi dhe përmes mbështetjes psikosociale dhe mentoruese janë inkurajuar dhe angazhuar më lehtë në tregun e punës, tha ai.

“Kërkuesit e punës që vijnë nga grupet vulnerabël dhe që janë për një kohëzgjatje  afatgjatë të papunësuar dhe personat me kualifikime të ulëta dhe ata të cilët janë ballafaquar me barriera të shumta për të hyrë në tregun e punës iu siguruam përkrahje individuale në një interval të gjatë, me qëllim që t’i tejkalojnë barrierat me të cilët përballen gjatë punësimit të tyre.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë për Punësim në RMV, Selatin Beluli.

Programi i mbështetjes së punësimit përmes trajnimeve përfshiu pesë masa konkrete që ndikuan drejtpërdrejt në përmirësimin e aftësive dhe punësimit të qytetarëve, ku u vërtetua se ky është çelësi i së ardhmes së shumë njerëzve, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

“Rezultatet e projektit nuk janë vetëm statistika, por njerëz që kanë marrë mbështetje, mundësi të reja dhe akses më të lehtë në vende pune. Besoj se mësimet e fituara  nga ky projekt do të shërbejnë si bazë për nismat e ardhshme që do të përmirësojnë dhe rrisin punësimin dhe do të mundësojnë përfshirjen sociale në tregun e punës.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

“Ne si ministri në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim dhe ministrin e Ekonomisë punojmë në përgatitjen e planit të ri operativ, ku parashikohet që këto grupe të rrezikuara të kyçen në tregun e punës.”, - u shpreh sekretari shtetëror në MPPS, Fatmir Sabriu.

Projekti “Aktivizimi i grupeve vulnerabël në tregun e punës” në vend u zbatua që nga viti 2019-2024. Është i mbështetur nga BE-ja dhe i njëjti zbatohet nga Agjencia e Punësimit në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. (Rexhep Qamili, TVM2)