Shqipëri, “Mosbindja civile”, 12 policë dhe 7 qytetarë të plagosur!

07.10.2024 22:48

Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës....

Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës në Shqipëri, e shoqëruar me molotovë, gaz lotsjellës dhe përplasje, ku ashtu siç ishte paralajmëruar, u mbajt pa fjalime.

Mbështetësit e opozitës, me në krye deputetët e grupit parlamentar e nisën tubimin nga Kryeministria, aty ku mes pankartave e brohorimave u hodhën edhe molotovë drejt godinës. Si pasojë pemët pranë Kryeministrisë morën flakë, por zjarrfikëset dhe policia morën masa të menjëhershme.

Më pas protestuesit, mes makinave dhe duke bllokuar trafikun, u zhvendosën drejt selisë së Partisë Socialiste, ku situata u tensionua. Disa molotovë u hodhën edhe drejt selisë së partisë në pushtet, duke bërë që godina të marrë flakë.

Pas selisë së PS-së, deputetët marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, aty ku u hodhën disa molotovë me radhë, të cilat rrezikuan shumë protestues dhe efektivë të policisë.

Në një deklaratë, policia shqiptare tha se 12 policë janë dëmtuar, ndërsa sipas asaj që raportojnë mediat në Shqipëri, të lënduar kanë mbetur edhe 7 qytetarë.

Destinacioni i fundit i protestuesve ishte Kuvendi, por policia nuk i lejoi të grumbulloheshin. Drejt protestuesve u hodh gaz lotsjellës, i padurueshëm për protestuesit, duke i detyruar të shpërndaheshin në drejtime të ndryshme. Disa prej tyre u ndjenë keq dhe u shoqëruan me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.

Gjatë marshimit protestuesit u vunë flakën kazanëve të mbeturinave, stacionit të autobusit, posterave anash rrugës, thyen xhama, bllokuan trafikun dhe nuk lejonin autobusët apo ambulancat të kalonin.