Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar, Murtezani: Brukseli nuk i refuzon plotësisht
08.10.2024 14:14
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, thotë se Brukseli nuk e ka hedhur poshtë tërësisht propozimin për ndryshimet kushtetuese...

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, thotë se Brukseli nuk e ka hedhur poshtë tërësisht propozimin për ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar. Në pyetjen për paralajmërimet e kryeministrit Mickoski se do të dërgohet letër me ide në BE për zgjidhje të kësaj çështjeje, Murtezani tha se këto paralajmërime në të vërtetë janë në fazë të bisedimeve interne në Qeveri.
“Ai propozim nuk shihet me optimizëm të madh, por nuk refuzohet plotësisht. Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për partnerët tanë strategjikë. Kjo nuk varet shumë nga ata, por nga vullneti dhe angazhimi ynë. Edhe nëse kemi një propozim përfundimtar, nuk do ta nxitojmë ta shpallim para se të mbarojnë zgjedhjet në Bullgarinë fqinje. Duhet të shohim nëse do të pranohet nga pala tjetër. Kjo është arsyeja përse ne po punojmë intensivisht në gjetjen e zgjidhjeve dhe mendoj se kjo është qasja e duhur për të ecur përpara.”, - deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Këto komente, ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, i bëri gjatë raportimit për 100 ditë qeverisje. Sipas tij, krahas ndryshimeve kushtetuese si sfidë për vendin, dikasteri që drejton ai ka arritur të transformojë sekretariatin në Ministri për Çështje Evropiane, ka nënshkruar marrëveshjen financiare IPA 2024 në vlerë prej 61.8 milionë euro janë dhe angazhuar në zbatimin e reformave të nevojshme. Gjatë këtyre ditëve, tha Murtezani, po aq e rëndësishme është edhe puna e planit për rritje dhe agjenda reformuese 2024-2027, si dhe programimi IPA 2025-2027 e fokusuar për reforma në administratën publike, arsim, sundimin e së drejtës dhe transformimin digjital.
“Si përfundim këto 100 ditët e para ishin intensive, por nga ajo që kam deklaruar deri tani do të thosha edhe efektive. Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar në përmbushjen e rolit të saj kyç në këto negociata komplekse. Ne i kuptojmë sfidat që na presin, por me një vullnet të jashtëzakonshëm politik, me angazhimin e ekipeve tona të eksperteve dhe mbështetjen e partnerëve tanë evropian, besoj se do të vazhdojmë të punojmë me angazhim dhe transparencë të barabartë për t’i përmbushur aspiratat e qytetarëve tanë për ta siguruar vendin tonë në familjen evropiane.”, - deklaroi ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.
Murtezani edhe njëherë përsëriti qëndrimin e koalicionit VLEN, se kanë përcaktuar një afat 6-mujor për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Nëse ato nuk ndodhin, brenda këtij afati, atëherë do të kërkohet zgjidhja tjetër, sa i përket ndryshimeve kushtetuese.
REXHEP QAMILI
