Maqedoni

Tejkalimi i problemit me Bullgarinë, Mickoski: Për detajet do ta njoftoj opozitën

08.10.2024 14:56

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, i pyetur për thirrjen e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, i pyetur për thirrjen e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, për të shpalosur planin për tejkalimin e problemit me Bullgarinë, theksoi se kur të ketë detaje të reja opozita do të informohet. Kryeministri, në “Studion e Hapur” në TVM, theksoi se nuk do ta përsërisë gabimin e LSDM-së kur ata ishin në pushtet dhe e detyruan procesin vetë, pa informuar dhe pa u konsultuar me opozitën.
 
“Nuk po e përsërisim të njëjtin gabim dhe nuk do ta përsërisim. Kur ka diçka për të cilën duhet të informohet opozita, atëherë më besoni, do ta informojmë menjëherë. Domethënë të ketë të paktën ndonjë progres që ta ndajmë me opozitën. Para se të pranohet i ashtuquajturi Propozimi francez, ne kishim konferenca për shtyp për dy muaj resht në të cilën kërkuam përfshirjen e opozitës, sepse kishim informacione se kjo dhe ajo po ndodhte. Ne thirrëm, mos e bëni, do të bëni gabim, thanë që nuk janë të interesuar, do ta bëjmë vetë procesin. Dhe ne pamë se sa larg e çuan. Në momentin e parë kur do të ketë ndonjë ndryshim do t’i informojmë, do ta thërras personalisht dhe do ta thërras dhe një takim liderësh me të gjithë dhe do t’i njoftoj me progresin apo zgjidhjen e mundshme.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
LSDM-ja kërkon shpalosjen e planit për eurointegrim
 
Ndërkohë nga LSDM-ja vazhdojnë të kërkojnë përgjigje nga kryeministri Mickoski, sa i përket çështjes për thirrjen e seancës parlamentare për integrimet evropiane të Maqedonisë dhe shpalosjen e planit të veprimit.
 
"Kryeministri Mickoski dhe Qeveria e kanë obligim para deputetëve dhe qytetarëve që të prezantojnë planin për vazhdimin e integrimeve evropiane të vendit dhe përmirësimin e pozitave në kornizën negociuese me afate të caktuara, siç u ishte premtuar qytetarëve para zgjedhjeve. Përkundër premtimeve të bëra për kushte më të mira në negociata, deri më tani nuk janë bërë hapa të dukshëm nga Qeveria, nuk ka asnjë iniciativë dhe as afate se kur mund të ndodhë kjo. Përkundrazi, procesi është plotësisht i bllokuar nga Qeveria.".
 
Nga LSDM-ja theksojnë se janë të gatshëm të mbështesin një strategji që do të përmirësojë pozitat dhe do të vazhdojë rrugën evropiane të shtetit, por nuk do të pranojë premtime boshe, bllokim të proceseve dhe manipulim të opinionit. 
 
FLORIJE KAMBERI