Maqedoni

Durmishi për shportën konsumatore vjeshtore: Çdo familje ka kursyer 690 – 1.360 denarë në muaj

08.10.2024 15:09

Për 100 ditë qeverisje u ulën shpenzimet e amvisërisë, u ul marzha e tregtisë me pakicë dhe hyri në fuqi ligji për praktikat e padrejta tregtare....

Për 100 ditë qeverisje u ulën shpenzimet e amvisërisë, u ul marzha e tregtisë me pakicë dhe hyri në fuqi ligji për praktikat e padrejta tregtare. Këto janë të arriturat e deritanishme të dikasterit të ekonomisë, vlerëson ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sipas të cilit për t’u dalë në ndihmë qytetarëve u publikua shporta konsumatore vjeshtore dhe çmimet e produkteve nga shporta konsumatore vjeshtore janë ulur nga mesatarisht nga 5 deri në 10%. 
 
“Rënia e çmimeve pritet të jetë edhe më e madhe duke marrë parasysh rënien e çmimeve në tregtinë me shumicë e cila tek tani duhet të ndodhë. E shprehur në kursimin në familje 4 anëtarësh në nivel mujor, kursimi do të arrinte nga 690 denarë deri në 1.360 denarë në varësi të mënyrës së ushqimit dhe zgjedhjes së marketeve, ku furnizohen ato.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. 
 
Durmishi njoftoi se duhet të ketë ulje të re të çmimeve pasi tregtarët të kenë harxhuar furnizimet në magazina dhe të kenë lidhur kontrata me furnizuesit  në përputhje me ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. I pyetur për të komentuar huamarrjen e re prej 500 milionë eurove dhe cili do të jetë impakti i saj mbi ekonominë e vendit, Durmishi me përgjigje se kjo kredi do të zhvillojë ekonominë vendore. 
 
“Në shpalljen e parë  për grantim mbi 100 milionë euro kanë aplikuar mbi 80 komuna mbi 350 projekte dhe është treguar një interesim i madh dhe tani bëhet hapi i radhës ku do përkrahen kompanitë vendore me një grant prej 250 milionë eurosh. Unë mendoj se ky veprim do t’i sjell zhvillim ekonomisë, pasi e dimë që te kompanitë vendore do të ketë rritje të ekonomisë së tyre, do të ketë hapje të vendeve të punës dhe me të do të ndalim edhe migrimin e rinisë dhe do të rritet fuqia punëtore dhe bruto prodhimi vendor.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
 
Durmishi po ashtu shtoi se 1.777 vauçerë për turizëm me vlerë prej 32 milionë denarë i dhanë për punëtorët me të ardhura të ulëta që të mund të kalojnë pushimet e tyre në disa nga qendrat turistike. Me këtë masë, jo vetëm që u mbështetën objektet hoteliere vendore, por iu mundësua  punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe familjeve të tyre t’i kalojnë pushimet në vendet turistike vendore.
 
FLUTURA LATIFI