Maqedoni
Vdekja e foshnjës 14-muajshe, Memedi: Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit
08.10.2024 15:21
Hetimet vazhdojnë për foshnjën 14-muajshe që ndërroi jetë më 5 tetor në Klinikën e fëmijëve....

Hetimet vazhdojnë për foshnjën 14-muajshe që ndërroi jetë më 5 tetor në Klinikën e fëmijëve. Ekspertët e fushës së mjekësisë gjatë ditës së sotme do të bëjnë investigimin e dokumentacionit dhe mjekëve që kanë qenë të përfshirë në këtë tragjedi, thotë drejtori i Klinikës së fëmijëve, Rexhep Memedi.
“Dje inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor realizuan inspektim të jashtëzakonshëm në hapësirat e Klinikës së fëmijëve, ku kanë inspektuar të gjithë dokumentacionin lidhur me këtë rast dhe kanë marrë deklarata nga të gjithë mjekët që kanë qenë të involvuar në një formë a tjetër në këtë rast. Investigimi vazhdon. Sot do të kemi edhe inspektim profesional nga ekspertë të fushës së mjekësisë, që do të bëjnë investigim të detajuar të të gjithë dokumentacionit, por edhe do të kenë bisedë dhe do të marrin deklarata nga mjekët që kanë qenë të involvuar në këtë rast.”, - deklaroi drejtori i Klinikës së fëmijëve, Rexhep Memedi.
Memedi thekson se presin edhe obduksionin e mjekësisë ligjore, që do të tregojë më detajisht për rastin e vdekjes së vajzës 14-muajshe.
“Sa i përket shkaqeve medicinale të vdekjes, foshnja është dërguar në obduksion në mjekësinë ligjore dhe presim raportin zyrtar nga mjekësia ligjore, që do të shkruajë detajisht të gjitha shkaqet medicinale konkrete që kanë dërguar deri në vdekjen e vogëlushes. Mjekët që e kanë kontrolluar vajzën kanë qenë në komunikim me prindërit, kanë bërë ekzaminim të foshnjës, kanë analizuar të gjitha raportet e analizave laboratorike edhe raportin e incizimit rentgen. Të gjitha këto janë të evidentuara, janë në sistemin tonë dhe janë në dispozicion të plotë për të gjithë hetimin.”, - theksoi drejtori i Klinikës së fëmijëve, Rexhep Memedi.
Ministri Taravari një ditë më parë ka konfirmuar se fëmijës që ka ndërruar jetë në Klinikën e Fëmijëve më herët i është refuzuar shtrimi në spital dhe ka theksuar se “dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur ka raste të tilla tragjike në sistemin shëndetësor”. Foshnja 14-muajshe ka ndërruar jetë pas pranimit në Klinikën e fëmijëve, ku është sjellë në gjendje shumë të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje. Shkaku i vdekjes është një infeksion i rëndë respirator.
VLORA LATIFI TOPOJANI
