Opozita shqiptare, Zendeli: “Fronti Evropian”, në përbërje të plotë

08.10.2024 16:05

“Fronti Evropian” është kompakt...

“Fronti Evropian” është kompakt dhe si i tillë do të veprojë, siguron Arta Bilalli Zendeli nga BDI. Edhe përkundër largimit të kryetarit të PDSh-së, Menduh Thaçi, nga “Fronti Evropian”, Zendeli thotë se ai megjithatë do të veprojë si opozitar në koherencë me politikat që do të udhëheqë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zendeli përgënjeshtron deklarimet e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, se deputetë të tjerë të Frontit do t’i bashkëngjiten koalicionit VLEN.

“Kam përshtypjen se grupi parlamentar, si i tillë akoma është grup opozitar dhe është funksional në përbërje të plotë. Jo, mendoj se për “Frontin Evropian” janë të thirrur dhe mbajnë përgjegjësi atë që e thonë vetë deputetët, por edhe liderët e “Frontit Evropian”, jo aktorët nga jashtë “Frontit Evropian”.”, - deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Zendeli nuk thotë nëse liderët e partive të Frontit janë takuar.

Elezi: “Fronti Evropian” po fundoset

Nga koalicioni VLEN konsiderojnë se “Fronti Evropian” po fundoset dhe si pasojë e kësaj vijnë edhe akuzat e pabaza, sikurse furnizimet e luleve në MEPSO.

“Përderisa Menduh Thaçi u largua nga “Fronti Evropian”, mendoj se ajo është një anije që fundoset, për arsye se, ndoshta mendoj se është edhe një presion i BDI-së ndaj partnerëve të koalicionit, në këtë rast të Zijadin Selës, sepse udhëheqës i atij institucioni në periudhën kur është bërë ajo thirrje ka qenë kuadër i Zijadin Selës dhe kjo mund të vërtetohet edhe nga dokumentacioni dhe gjithçka tjetër.”, - theksoi Afan Elezi nga koalicioni VLEN.

Menduh Thaçi në një studio televizive ka konfirmuar largimin nga “Fronti Evropian”, duke numëruar arsyet sikurse moskërkimi i llogarisë për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, liderët brenda Frontit, tanimë tre muaj nuk janë takuar. Thaçi është shprehur se do të veprojë si deputet opozitar dhe ka hedhur poshtë zërat për të qenë pjesë e Qeverisë. (Meral Ismaili, TVM2)