Bexheti dhe Arsovska, VLEN: Thellojnë bashkëpunimin në dëm të shqiptarëve

08.10.2024 16:37

Koalicioni VLEN akuzon Blerim Bexhetin...

Koalicioni VLEN akuzon Blerim Bexhetin nga “Fronti Evropian” për bashkëpunim me kryetaren e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe “Të Majtën” për ta deshqiptarizuar administratën e qytetit të Shkupit.

Sipas tyre, edhe pse shqiptarët përbëjnë më shumë se 22% të popullsisë së qytetit të Shkupit, ata janë të përjashtuar nga pushteti lokal.

Nga 92 pozita drejtuese në administratë, vetëm 8 janë të plotësuar nga shqiptarë, thotë nënkryetari i Alternativës, Afan Elezi.

“Bexheti dhe kryetarja më e padëshiruar dhe e dështuar e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në ecjen e tyre për pushtet po bëjnë çmos për ta deshqiptarizuar administratën e qytetit të Shkupit. Falë tyre, shqiptarët të cilët përbëjnë më shumë se 22% të popullsisë së qytetit janë krejtësisht të përjashtuar nga pushteti lokal. Nga 92 pozita drejtuese në administratë, vetëm 8 janë të plotësuar nga shqiptarë. Gjendja është më alarmante në ndërmarrjet publike të qytetit të Shkupit, përveç NP “Higjiena Komunale”. Shqiptarët kanë një përfaqësim minimal në 6 ndërmarrjet kryesore, si ajo e “Parqeve dhe Gjelbërimit”, “Ujësjellësit dhe Kanalizimit”, ndërmarrjet e komunikacionit, parkingjet e qytetit, rrugicat dhe rrugët, NP “Drislla”, shqiptarët zënë vetëm 5.5 për qind të pozicioneve udhëheqëse.”, - deklaroi Afan Elezi nga koalicioni VLEN.

Kjo nuk është hera e parë që deputeti i FE-së, Bexheti, akuzohet për bashkëpunim me kryetaren e qytetit të Shkupit. Ata sërish ripërsëritën se Bexheti në bashkëpunim me Arsovskën vendosën të rikthejnë statujën kontroverse të Andon Lazov Janevit, i njohur si Qoseto apo Kasapi dhe ky veprim është mbështetur edhe nga këshilltarët e BDI-së në këshillin e Qytetit. (Sanije Duraku, TVM2)