Kosovë, hapja e kufirit në Merdare për mallrat serbe

08.10.2024 17:31

Autoritetet e Kosovës e kanë hapur pikëkalimin kufitar....

Autoritetet e Kosovës e kanë hapur pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdare, për kalimin e mallrave nga Serbia. Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një postim në rrjetet sociale, duke sqaruar se pikëkalimi në Merdare do të jetë i hapur menjëherë për të gjitha mallrat nga Serbia, por ato së pari duhet t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze iks.

“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar në Merdare, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.”, tha Sveçla.

Ai theksoi të martën se pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat “në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkoi të hënën ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.                                                                                                              

“Kur vijnë farëra të ndryshme që duhen për një fermë të shpezëve dhe ato farëra në një maune shumë lehtë kontrollohen se a ka armë dhe municion, mirëpo kur janë produkte të gatshme në kuti të vogla, kjo është shumë më vështirë, sepse nuk mund t’i hapësh të gjitha kutitë. Prandaj, ne kemi kërkuar skaner, kur mauna të hyjë në skaner, atëherë skaneri tregon se nuk janë të gjitha keksë aty, por ne nuk e kemi skanerin dhe deri sa të na vijë skaneri do të na duhet të bëjmë kontroll të rreptë manual. Na vjen keq për këtë dhe kryesorja është se presim edhe nga ShBA-ja edhe nga BE-ja, që të na sigurojnë skaner, sepse na kanë thënë që do të përpiqemi të na  sjellin, në ndërkohë edhe vet doganat e Kosovës janë duke blerë skanerët.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ambasadori gjerman dhe ai francez në Kosovë kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares, pasi BE-ja mbështet tregtinë e lirë të mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe Gjermania, negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi, në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA. (Gyltene Sinani, TVM2)