Izraeli filloi operacionet tokësore, përshkallëzohet konflikti njëvjeçar

08.10.2024 17:57

Ushtria izraelite i ka nisur operacionet tokësore...

Ushtria izraelite i ka nisur operacionet tokësore edhe në jugperëndim të Libanit dhe në Rripin e Gazës, duke e përshkallëzuar konfliktin njëvjeçar me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 1.000 njerëz në dy javët e fundit. Edhe një eliminim i një figure tjetër të rëndësishme të Hezbollahut, shefi i logjistikës, Husein Huseini, roli kyç i të cilit ishte transferimi i armëve. Autoritetet libaneze po paralajmërojnë se spitalet po mbyllen për shkak të zgjerimit të sulmeve tokësore dhe ajrore izraelite.

“Ne kemi furnizimet tona, por askush nuk e di se sa nga ato furnizime do të mjaftojnë për shkak të mungesës së mbështetjes.”, - deklaroi shefi i Infermierisë, Ali Auard.

“Kemi siguruar 10 mijë litra karburant për gjeneratorët, por pas dy-tri ditësh nuk e di se si do t'i sigurojmë. Kjo është një thirrje për shtetin që të përpiqet të sigurojë karburant, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë trajtimet e të plagosurve.”, - theksoi drejtuesja e spitalit, Mona Abu Zeid.

Sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar mbi qytetin iranian të Isfahanit gjatë natës. Kreu i Ministrisë së Jashtme iraniane paralajmëroi Izraelin që të mos testojë vullnetin e Teheranit. Komentet vijnë në mes të spekulimeve rreth reagimit të mundshëm të Izraelit ndaj një sulmi të fundit raketor nga Irani.

“Nëse bëhet ndonjë sulm ndaj vendit tonë, përgjigja jonë do të jetë më e fortë se më parë. Politika e Iranit është të mbështesë rezistencën.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, në ceremoninë përkujtimore të përvjetorit të sulmit të Hamasit më 7 tetor, rikonfirmoi vendosmërinë e vendit të tij për të luftuar.

“Përderisa armiku kërcënon ekzistencën tonë dhe paqen e vendit tonë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Për sa kohë që pengjet tanë janë ende në Gazë, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Ne nuk do të lëmë asnjë prej tyre. Nuk do të dorëzohemi.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Është koha për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, u tha nga Uashingtoni.

“Ne vazhdojmë të këmbëngulim për një armëpushim në Gazë. Por, i ftojmë palët të vijnë në tryezën e bisedimeve. Refuzimi i Hamasit për t'u përfshirë në një mënyrë kuptimplote në negociata i paraprin fillimit të operacioneve izraelite në Liban.", - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.

Kreu i CIA-s, Uilliam Burns, shprehu besimin se as Izraeli dhe as Irani nuk duan një “konflikt total”, në një kohë kur Lindja e Mesme duket se po shkon drejt një lufte totale Izrael-Iran.

“Ne përballemi me rrezikun shumë real të një përshkallëzimi të mëtejshëm rajonal të konfliktit.”, - tha kreu i CIA-s, Uilliam Burns.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi rrezikun për shpërthimin e sëmundjeve në Liban, për shkak të kushteve në strehimoret e mbipopulluara të njerëzve të zhvendosur dhe mbylljes së spitaleve, pasi mjekët janë duke ikur nga sulmet izraelite. (Fitore Demolli, TVM2)