Botë

Vijojnë sulmet izraelite në Gazë

09.10.2024 11:24

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 12 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të së njëjtës familje...

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 12 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të së njëjtës familje, në veri dhe qendër të Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, UAFA.

Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Gazës, tre të tjerë u vranë, përfshirë një fëmijë, dhe disa u plagosën nga një sulm izraelit. Më 7 tetor 2023, militantët e drejtuar nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga ShBA-ja dhe BE-ja – sulmuan qytete izraelite dhe fshatra pranë kufirit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas statistikave izraelite. Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.
 
Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut. Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite. Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal.