Maqedoni

Foshnja 14-muajshe që ndërroi jetë është endur 5 ditë nga spitali në spital

09.10.2024 11:48

Raporti i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë...

Raporti i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14-muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te Klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak.
 
Raporti thekson se në çdo kontroll gjendja e foshnjës rëndohej, ndërsa Klinika e Fëmijëve nuk e ka mbajtur për trajtim në spital, por e kishte lëshuar në shtëpi me rekomandimin për kontroll ditën e nesërme. Sipas raportit të Inspektoratit, vizita e radhës te mjeku amë ishte bërë më 3 tetor, ngjashëm për shkak të të vjellave të shpeshta brenda ditës. Mjeku amë sërish ka konstatuar se foshnja nuk ka temperaturë, por ka skuqje të fytit. Por, për shkak të të vjellave, në datën e njëjtë, mjeku amë ka lëshuar udhëzim urgjent për dërgimin e foshnjës në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.
 
“Foshnja është dërguar në klinikë rreth orës 15:00, ku është kryer kontroll. Rezultati i e Rëntgenit tregon pasqyrë të theksuar bronkovaksulare. I është shkruar terapi dhe është lëshuar për kurim shtëpiak.”, thuhet në raport.
 
Pas përkeqësimit të vazhdueshëm, Klinika e Kozles foshnjën me urgjencë e ka dërguar në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 tetorit është konstatuar diagnoza pneumoni masive, ndërsa gjendja e foshnjës është përkeqësuar edhe më shumë, ku pas përpjekjeve të pasuksesshme të anesteziologut për reanimacion, foshnja ka ndërruar jetë.