Maqedoni
Andonovski shpalli aplikacionin e parë celular, do të sigurohet qasje në shërbime administrative
09.10.2024 13:53
Ministria për Transformim Digjital shpalli projektin për zhvillimin e aplikacionit të parë celular...

Ministria për Transformim Digjital shpalli projektin për zhvillimin e aplikacionit të parë celular qeveritar për shërbime administrative Super Ap ELI. Me këtë rast, ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, tha se ky projekt do të jetë revolucion në qasjen në shërbimet publike. Sipas tij, çdo qytetar do të ketë qasje në shërbimet administrative përmes celularit të tij. Në kuadër të këtij projekti po punohet për futjen e një versioni digjital të kartave të identitetit dhe patentë shoferëve, i njohur si portofoli celular. Kjo ministri është duke punuar në një ridizajnim të plotë të portalit për shërbime.
“Në një kohë të shkurtër do të kemi një portal të rinovuar për shërbimet me një pamje më intuitive dhe më të lehtë për t'u përdorur, i cili do të ofrojë funksionalitete të reja dhe aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbime të reja dhe do të sigurojmë që ato të korrespondojnë me nevojat reale të qytetarëve.”, - theksoi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Në prezantimin e tij, Andonovski paralajmëroi edhe 100 shërbime të reja elektronike në vitin 2025, të disponueshme në portalin e shërbimit. Me futjen e shërbimeve të reja pritet të rritet ndjeshëm numri i përdoruesve aktivë të portalit dhe të përmirësohet efikasiteti i administratës shtetërore.
FLUTURA LATIFI
