Maqedoni
Mbyllet lënda për djalin e Mickoskit, KShPK: Ishte në Uashington me shpenzimet e tij
09.10.2024 14:09
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka mbyllur lëndën për udhëtimin në ShBA...
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka mbyllur lëndën për udhëtimin në ShBA për samitin e NATO-s të djalit të kryeministrit, Hristian Mickoski. Sipas dokumentacionit, Antikorrupsioni konstatoi se biletën e avionit dhe akomodimin në hotel e ka paguar vetë djali i kryeministrit, pra nuk janë harxhuar para të shtetit. Sipas dokumenteve të publikuara, ai në fakt nuk ishte akomoduar në të njëjtin hotel me delegacionin e Qeverisë.
“Për akomodimin e djalit të kryeministrit janë dorëzuar dy fatura që figurojnë në emër të personit fizik për akomodim në Uashington për periudhën nga 6 qershori deri më 11 korrik 2024 dhe akomodim në Nju Jork për periudhën 11-13 korrik 2024. Faturat kanë vulën 5 si vërtetim se janë paguar. Nga faturat e bashkangjitura konstatohet se ky person nuk ka qëndruar në hotelet ku është akomoduar delegacioni shtetëror, por në akomodim në banesë dhe nuk janë faturuar në emër të delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi anëtari i KShPK-së, Zoran Bogoevski.
Një foto e vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski në Uashington, në të cilën shihej djali i tij i madh, ishte shkas për përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Rast i ngjashëm si ky kishte edhe dy vite më parë, kur kryeministri i atëhershëm, Dimitar Kovaçevski, dhe vajza e tij ishin në një vizitë dyditore në Romë dhe në Vatikan, për nderimin e edukatorëve sllavë, Kirili dhe Metodi. VMRO-DPMNE-ja e atëhershme opozitare pyeti nëse vajza e Kovaçevskit ishte barrë për buxhetin dhe në bazë të cilave protokolle ishte pjesë e delegacionit maqedonas, për të cilën Kovaçevski pohoi se protokollet nuk janë shkelur dhe se nuk është e pazakontë që funksionar i lartë të zgjedhë të marrë me vete ndonjë anëtar të familjes.
SANIJE DURAKU