Ngjarja e rëndë në Sllatinë, MPB-ja dhe Prokuroria punojnë në zbardhjen e rastit
09.10.2024 15:01
Ministria e Punëve të Brendshme...
MPB-ja dhe Prokuroria Publike e Tetovës po punojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku u gjetën nënë e bijë të vdekura. Gjetjet fillestare nga autopsia flasin për helmimin si shkak të mundshëm të vdekjes së dy personave. Nënës dhe vajzës së vdekur iu morën mostra për analiza shtesë toksikologjike, për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit. Tek të vdekurit nuk u konstatuan gjurmë të tjera dhune.
“Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës nga anëtarët e tjerë të familjes, babai dhe një fëmijë tjetër, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe në to. Po ndërmerren veprime të tjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike dhe MPB-së.
Nëna dhe vajza katërvjeçare janë gjetur të vdekura në shtëpinë e tyre në fshatin Sllatinë të Tetovës. Nga gjetjet e para të autoriteteve hetimore rezultoi se nuk kishte gjurmë dhune. Bashkëshorti dhe djali i mitur janë dërguar në spitalin e Tetovës. Rastin në policinë e Tetovës e ka lajmëruar një mjek nga fshati.
VLORA LATIFI TOPOJANI