Maqedoni

BDI-ja akuzon Qeverinë: Projektet infrastrukturore, në ngecje

09.10.2024 15:15

Në këto 100 ditë, në vend se të ketë progres ka ngecje dhe shkurtim mjetesh të projekteve kyçe në infrastrukturën rrugore...

Në këto 100 ditë, në vend se të ketë progres ka ngecje dhe shkurtim mjetesh të projekteve kyçe në infrastrukturën rrugore, akuzojnë nga BDI-ja Qeverinë, siç e quajnë ata monoetnike, për lënien pas dore të projekteve kyçe si korridori 8 dhe 10D, për autostradën Shkup - Bllacë, rrugën Tetovë - Prizren dhe projekte të tjera.
 
“Për fat të keq Qeveria me legjitimitet monoetnik qëllimisht zvarrit procedurat e nevojshme për realizimin e këtij korridori evropian. Menjëherë pas ardhjes në pushtet zvogëluan mjetet buxhetore nga 15.1 miliard denarë në 4 miliardë denarë. Kjo Qeveri tregoi se nuk ka vullnet të ndërtojë autostradën Shkup - Bllacë. Edhe pse punimet e 2 km të parë kanë përfunduar, ende nuk lëshohet në përdorim. Edhe projekti për ndërtimin e rrugës Tetovë - Prizren mbetet vetëm premtim parazgjedhor i tyre. Kanë ngecur të gjitha procedurat e filluara për realizimin e këtij projekti të miratuara nga Qeveria e kaluar.”, - deklaroi deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.
 
Akuza mes VMRO-së dhe LSDM-së për autostradën Kërçovë - Ohër
 
Për projektet dhe infrastrukturën rrugore akuza e kundër-akuza pati edhe nga dy partitë më të mëdha maqedonase. Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë se Qeveria e kaluar ka pasur prioritet manipulimin e tenderëve, jo investimet kapitale dhe ndërtimin e infrastrukturës.
 
“I vetmi prioritet i qeverisjes së kaluar të LSD-së dhe BDI-së ishin tenderët e diskutueshëm, shihet edhe nga tenderi për autostradën Kërçovë - Ohër. Autostrada Kërçovë - Ohër edhe pse ishte parashikuar se sa do të kushtonte, papritur u shtrenjtua për 200 milionë euro dhe pa asnjë detaj.”, - thanë nga VMRO-DPMNE.
 
E nga ana tjetër, sipas LSDM-së pretendon se VMRO-DPMNE-ja është fajtore për kostot e larta për shkak të dizajnit të dobët dhe mungesës së analizave në terren. Ata sqarojnë se riprojektimet e trasesë kanë qenë të nevojshme për shkak të problemeve teknike, të cilat kanë rritur buxhetin më tej.
 
“Kërçovë - Ohër është një shembull klasik se si nuk duhet të projektohet dhe nuk duhet të nisë ndërtimi i një projekti të madh infrastruktural. Kjo është një aneks që u bë në vitin 2018, pikërisht për shkak të paaftësisë dhe gabimeve të bëra nga DPMNE-ja në nisjen e këtij projekti në vitin 2014, pa një analizë të terrenit dhe me zgjidhje teknike të gabuara.”, reagoi LDSM-ja në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Nga LSDM-ja shtojnë se Qeveria aktuale duke u fokusuar në tenderë të dyshimtë po luan rolin e opozitës dhe se po injoron investimet kapitale. 
 
ARMEND MURSELI