Maqedoni
Gjykata Kushtetuese shfuqizon “Balancuesin”, Kostadinovski: Nuk cenohet e drejta etnike
09.10.2024 15:50
Me shumicë votash Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ”Balancuesin”...

Me shumicë votash Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ”Balancuesin” si mekanizmin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive në institucione publike. Kreu i këtij institucioni, Darko Kostadinovski, sqaron validitetin juridik të këtij vendimi. Gjykata Kushtetuese operacionalizon norma kushtetuese dhe mban llogari për peshën e vendimeve, thotë ai.
“Vendimi ynë është shfuqizues, jo anulues. Ne kur sjellim vendime, mbajmë llogari dhe vlerësojmë peshën e cenimit dhe pasojat që mund të jenë në raport me atë se nëse do ta shfuqizojmë apo anulojmë?! Dy vendimet që kanë dallim në efektet juridike. Vendimi shfuqizues do të thotë se me nxjerrjen e këtij vendimi në gazetën zyrtare, pjesë të dispozitave ligjore nuk do të aplikohen, pra nuk shfuqizojmë tërë ligjin.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Nuk ka hapësirë për manipulim se po shfuqizohet e drejta e qytetarëve, siguron Kostadinovski. Vlera themelore ekziston, nuk mund të mënjanohet, është punë e kushtetutvënësit, tha ai, pas këtij vendimi. Apelon tek qytetarët, organet shtetërore dhe politikanëve, që nëse e duan sundimin e së drejtës, të respektojnë vendimin e kushtetueses.
“Gënjeshtër dhe manipulim është konstatimi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka shfuqizuar të drejtat e cilësdo etni, kjo nuk është e vërtetë. Siç ishte manipulimi se Gjykata me veprimin e saj për këtë apo cilëndo lëndë tjetër mund t’i prish marrëdhëniet politike, etnike ose të jetë shkas për destabilizim. Të gjithë, përfshi edhe politikanët, duhet t’i respektojnë vendimet e gjykatës.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Lënda për “Balancuesin” u formula pas dorëzimit të nismës së ish-kryetares së Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, në Gjykatën Kushtetuese në janar të këtij viti.
Përkujtojmë se “Balancuesi” si mekanizëm për ekuilibrimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në administratë, rrënjët i ka në Marrëveshjen e Ohrit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU